
Raporto dhunën dhe kërko ndihmë
Raporto dhunën dhe kërko ndihmë
Dhuna në baza gjinore i referohet veprimeve të dëmshme të drejtuara ndaj individëve për shkak të gjinisë së tyre. Ajo buron nga marrëdhëniet e pabarabarta të pushtetit, normat gjinore dhe diskriminimi. Edhe pse kushdo mund ta përjetojë DHBGJ-në, gratë dhe vajzat preken në mënyrë disproporcionale, pjesërisht për shkak të pabarazive të pushtetit, ku burrat mund të ndihen se kanë të drejtë të kontrollojnë apo dominojnë gratë. Kur gratë kanë qasje të kufizuar në burime, në fuqi vendimmarrëse apo kur nuk kanë pavarësi ekonomike, ato mund të jenë më të cenueshme ndaj dhunës dhe më pak të afta të largohen nga situatat abuzive. Në Kosovë, Ligji për Barazi Gjinore e njeh dhunën në bazagjinore si formë diskriminimi që “pengon seriozisht aftësinë e femrave dhe meshkujve që t’i gëzojnë të drejtat dhe liritë në baza të barabarta”.

Çfarë është dhuna në baza gjinore?
Dhuna në baza gjinore mund të ndodhë kudo – brenda familjes, në hapësira publike, në shkolla apo në punë, si edhe online – dhe mund të përfshijë:
- Dhunë fizike (si abuzimi dhe sulmi në familje);
- Abuzim emocional apo psikologjik (si kërcënimet, poshtërimi apo sjellja kontrolluese);
- Abuzim ekonomik (si kontrolli i qasjes në para ose pengimi i punësimit);
- Dhunë seksuale (si përdhunimi, ngacmimi seksual ose shfrytëzimi);
- Praktika të dëmshme tradicionale (si martesa e hershme dhe gjymtimi i organeve gjenitale femërore).
Të gjitha këto forma dhune janë të paligjshme dhe ju mund të kërkoni drejtësi nëse ato ju ndodhin juve ose dikujt që njihni. Kushtetuta e Republikës së Kosovës ka miratuar Konventën e Këshillit të Evropës për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës kundër Grave dhe Dhunës në Familje (e njohur zakonisht si Konventa e Stambollit), e cila është një traktat i të drejtave të njeriut i Këshillit të Evropës që synon parandalimin dhe luftimin e dhunës kundër grave dhe dhunës në familje. Konventa e Stambollit është hartuar për të:
- Parandaluar dhunën kundër grave;
- Mbrojtur viktimat;
- Ndjekur penalisht kryesit;
- Promovuar barazinë gjinore.
Kodi Penal i Republikës së Kosovës kriminalizon disa forma të DHBGJ-së, siç janë: dhuna në familje, ngacmimi seksual, dhuna seksuale, përdhunimi, martesa e detyruar, gjymtimi i organeve gjenitale femërore.
Korniza Ligjore e Kosovës
Ligji për Parandalimin e Dhunës në Familje, Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Baza Gjinore synon parandalimin dhe trajtimin e dhunës ndaj grave, dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore, të mbrojë dhe të kontribuojë në eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit ndaj grave, të promovojë barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave, si dhe të ndërtojë mekanizmat e nevojshëm për ofrimin e mbështetjes për viktimat e të gjitha formave të dhunës të rregulluara nga ky ligj. Përmes këtij ligji, viktimat gëzojnë të drejtën për:
- Urdhra mbrojtjeje për të mbajtur larg autorët e krimit
- Shërbime sociale, të tilla si hartimi i planeve të sigurisë për shmangien e rreziqeve dhe vendqëndrim të sigurt;
- Strehim ose banim social;
- Qasje në kujdes shëndetësor;
- Mbështetje në arsim, trajnim profesional dhe punësim.
Sot, gratë dhe vajzat po përjetojnë forma të ndryshme të dhunës në baza gjinore, duke përfshirë dhunën digjitale, duke shënjestruar gratë me prejardhje të ndryshme.
Çfarë është dhuna digjitale?
Dhuna digjitale ndodh kur dikush përdor teknologjinë për të:
- Ngacmuar, siç është dërgimi i mesazheve ose imazheve të padëshiruara, duke bërë thirrje të përsëritura, duke publikuar të dhëna private (doxxing), duke krijuar profile të rreme për të frikësuar, duke shpërndarë imazhe intime pa pëlqim ose duke e etiketuar dikë në mënyrë të përsëritur me përmbajtje të dëmshme ose fyese.
- Shantazhuar ose poshtëruar (“shantazh seksual”).
- Kontrolluar
- Kërcënuar
A është kjo e ligjshme?
Jo! Edhe pse RrGK ka avokuar prej kohësh për përfshirjen e saj të qartë, aktualisht nuk ka një nen specifik në Kodin Penal të Republikës së Kosovës që trajton drejtpërdrejt dhunën digjitale. Megjithatë, ajo mund të raportohet duke u mbështetur në disa nene të tjera të Kodit Penal:
- Neni 182 – Ngacmimi
- Neni 183 – Ngacmimi seksual
- Neni 181 – Kanosja
- Neni 329 – Shantazhi
Ligji për Dhunën në Baza Gjinore njeh edhe ngacmimin seksual përmes internetit si formë dhune. Kjo u jep viktimave të drejtën të marrin mbrojtje dhe mbështetje të ngjashme nga Qeveria si në rastet e tjera të dhunës në baza gjinore.
Çfarë duhet të bësh?
Ruaj Provat
Bëni foto të ekranit të mesazheve, postimeve dhe imazheve. Shënoni emrat e përdoruesit, datat dhe orët. Mos fshini kurrë asgjë - mund të përdoret si provë ligjore.
Bisedo me dikë
Thuaji një miku të besuar, një anëtari të familjes, një mësuesi ose një profesionisti. Nuk je vetëm dhe ndarja e përvojës tënde është hapi i parë drejt sigurisë.
Raportoje
Telefononi policinë në numrin 192 ose shkoni në Qendrën më të afërt për Punë Sociale. Gjithashtu mund të kërkoni ndihmë në internet përmes platformave ligjore ose grupeve lokale të mbështetjes.
Si të raportoni dhunën me bazë gjinore
Ju mund të raportoni dhunën në bazë gjinore ose dhunën dixhitale në institucionet e mëposhtme:
- Policia e Kosovës: Telefononi në numrin 192 ose shkoni në stacionin më të afërt të policisë
- Qendra për Punë Sociale: Vizitoni qendrën tuaj lokale komunale
- Platforma Ligjore Online: Dorëzoni një ankesë ose kërkoni ndihmë ligjore
Po sikur institucionet t'ju injorojnë?
Nëse institucione të tilla si policia, shërbimet sociale ose prokurorët nuk i përgjigjen raportit tuaj, mund të kontaktoni Rrjetin e Grave të Kosovës (RGK). Ne do t’ju mbështesim në mbajtjen e këtyre institucioneve përgjegjëse dhe do t’ju ndihmojmë të keni akses në të drejtat tuaja.
📞 Telefononi RGK: +383 48 105 800
Me kë mund të kontaktoni?
Rrjeti i Grave të Kosovës
Instituti i Drejtësisë i Kosovës
Avokatët e Viktimave
Policia e Kosovës
Platforma e Ndihmës Ligjore Online
Dëshironi të mësoni më shumë ose të merrni ndihmë?
RrGK publikon kërkime, letra avokimi dhe raporte monitorimi për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të avancuar të drejtat e grave. Nëse keni nevojë për mbështetje ligjore ose dëshironi të përfshiheni, vizitoni faqet më poshtë.