Eurodeputetja Von Cramon-Taubadel i shkruan Lajçakut në lidhje me Gratë, Paqen dhe Sigurinë, pas avokimit nga RrGK-ja

Më 25 nëntor, Eurodeputetja Viola Von Cramon-Taubadel, Raportuese e  PE-së për Kosovën, i shkroi një letër Përfaqësuesit  Special të BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë Miroslav Lajčák për ta pyetur pse ai nuk ishte takuar me organizatat për të drejtat e grave në Kosovë në vizitën e tij të fundit që kishte me shoqërinë civile në Kosovë e që lidhet me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në pajtim me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (RKSKB) 1325 për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, aktorët e angazhuar në mbështetjen dhe ndërmjetësimin e proceseve të paqes duhet të sigurojnë angazhimin e grave në këto procese, përfshirë edhe organizatat për të drejtat e grave.

Letra e Eurodeputetes Von Cramon-Taubadel pasoi në vijim të takimit të saj me Rrjetin e Grave të Kosovës (RrGK), Qendrën Kosovare për Studime Gjinore dhe Shoqatën e Grave për të Drejtat e Njeriut të Mitrovicës gjatë javës së kaluar, të mbështetur nga Fondacioni Kvinna till Kvinna. Gjatë takimit, aktivistet nga këto organizata shprehën shqetësimet e tyre në lidhje me nën-përfaqësimin e grave në proceset e paqes, siç përcaktohet në RKSKB 1325 për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Më konkretisht, ato vunë re se Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë Miroslav Lajçak nuk ishte takuar me aktiviste ose organizata kryesore për të drejtat e grave gjatë konsultimeve të tij me organizatat e shoqërisë civile në Prishtinë pak javë më parë.

Pas kësaj bisede, Eurodeputetja Von Cramon-Taubadel iu drejtua z. Lajçak me këtë letër:

 “I nderuari Z. Lajçak,

Dëshiroj të tërheq vëmendjen tuaj për një aspekt të rëndësishëm të Dialogut Beograd-Prishtinë. Megjithëse Rezoluta 1325 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Gratë, Paqen dhe Sigurinë bën thirrje për përfshirjen e grave në të gjitha proceset e paqes, dhe BE-ja  është zotuar për

zbatimin e kësaj rezolute në Qasjen Strategjike të BE-së për Gratë, Paqen dhe Sigurinë (https://www.consilium.europa.eu/media/37412/st15086-en18.pdf), gratë nuk janë përfshirë sa duhet në dialogun Kosovë-Serbi.

Përderisa kjo rezolutë dhe rezolutat  simotra të saj theksojnë rolin e rëndësishëm të organizatave për të drejtat e grave në proceset e paqes, unë jam informuar se ju nuk jeni takuar me këto organizata ose me aktivistet për të drejtat e grave në vizitën tuaj më të fundit që i keni bërë Kosovës. Dëshiroj të nënvizoj nevojën për një politikë të jashtme të BE-së me ndjeshmëri gjinore, e cila duhet të zbatohet në çdo dialog dhe për çdo çështje. Prandaj, a mund të sqaroni përse nuk i keni përfshirë organizatat për të drejtat e grave në takimin që keni mbajtur me shoqërinë civile?

Për më tepër, çfarë do të bëni për të përmbushur zotimet e BE-së për përfshirjen e më shumë grave në proceset e paqes, duke përfshirë të dy nivelet e diplomacisë atë të parë dhe të dytë, në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi në të ardhmen? Jam njoftuar se ekipi negociues i Prishtinës nuk përfshin asnjë grua. A e keni ngritur këtë çështje me udhëheqësit e ekipit negociues apo në ndonjë forum tjetër? “

RrGK vlerëson lart mbështetjen dhe angazhimin e Eurodeputetes Von Cramon-Taubadel për avancimin e barazisë gjinore dhe agjendën e grave, të paqes dhe sigurisë në Kosovë. RrGK gjithashtu i  ka dërguar një letër paraprakisht edhe z. Lajçak lidhur me këtë çështje, e cila është në dispozicion këtu:

Takimi i lartpërmendur midis organizatave për të drejtat e grave dhe Eurodeputetes Von Cramon-Taubadel u zhvillua si pjesë e Javës së BE-së për Avokim, e mbështetur nga Fondacioni Kvinna till Kvinna. Përmes kësaj iniciative, organizatat për të drejtat e grave nga rajoni, çdo vit, kanë mundësinë të takojnë dhe të ndajnë shqetësimet e tyre në lidhje me barazinë gjinore në Ballkanin Perëndimor me personat përkatës në Parlamentin Evropian, Komisionin e BE-së dhe Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm, ndër të tjerë.