Organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Okarina e Runikut ka mbajtur dy takime avokuese në Komunën e Skenderajt, me ç’rast pjesëmarrëset diskutuan për Buxhetimin e Përgjegjshëm Gjinor si dhe rolin e pjesëmarrjes së barabartë të grave e vajzave në qeverisjen lokale.
Takimi i parë u mbajt me Drejtoren për Zhvillim Ekonomik, Ndërmarrësi, Inovacion dhe Turizëm, Besarta Meha-Ademi, e cila ofroi mbështetje për rritjen e pjesëmarrjes së grave në ndërmarrësi.
Rreth 20 pjesëmarrëse diskutuan së bashku lidhur me Buxhetimin e Përgjegjshëm Gjinor si dhe rëndësinë e përkrahjes së grave dhe vajzave të kësaj komune.
Pjesëmarrësja Ermira Hyseni teksa e vlerësoi këtë mundësi bashkëbisedimi, ngriti nevojën që kanë gratë për t’u informuar për mbajtjen e dëgjimeve publike.
“Mungesa e informimit për mbajtjen e dëgjimeve publike na ka lënë prapa, e kështu nuk kemi pasur aq mundësi që të kërkojmë që nevojat tona të jenë në planin e punës të Drejtorive. Andaj, kërkoj që ky informim të bëhet përmes faqes zyrtare të Komunës, edhe përmes mediave lokale”, tha ajo ndër të tjerash.
Në bazë të kërkesave të dala nga ky takim, përfaqësueset e Okarinës së Runikut dorëzuan Dokumentin me Rekomandime për përmirësimin dhe fuqizimin e pjesëmarrjes së grave në politikën lokale te Kryesuesja e Kuvendit Komunal, Adelina Spahiu,
Spahiu u zotua se ky dokument do të shqyrtohet nga këshilltarët komunalë dhe ekzekutivi.
Përveç kësaj komune, Fetije Smakaj nga Okarina e Runikut ka mbajtur takim edhe në Komunën e Vushtrrisë ku ka bashkëbiseduar me Anatare të Kuvendit Komunal, aktiviste dhe organizata lokale për promovimin e pjesëmarrjes së gravë në politikë e procese vendimmarrëse, si dhe lidhur me rëndësinë e zbatimit të Buxhetimit të Përgjegjshëm Gjinor në nivel të komunave.
Asamblistja Adelina Syla-Sadiku, u zotua se do ta shfryëzoj zërin e saj për të promovuar Buxhetimin e Përgjegjshëm Gjinor. Ajo po ashtu shprehu përkrahjen e saj për këtë nismë, si dhe që do të ndajë me gra mundësitë për pjesëmarrje në dëgjime publike.
Ndër të tjera u bisedua edhe për zgjedhjet lokale të vitit 2021 në Komunën e Vushtrisë.
Realizimi i kësaj nisme u bë i mundur falë përkrahjes së marrë nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, përmes nismës së RrGK-së “Fuqizimi i Pjesëmarrjes së Grave në Politikë”.