Festivali “FemArt” sjell edicionin e 9, përmes artit sfidohet seksizmi

Organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Artpolis, nga data 1-6 tetor, në Prishtinë mbajti festivali ndërkombëtar të artisteve dhe aktivisteve, “FemArt”.  

Motoja e këtij edicioni, të nëntit me radhë, ishte “F… Seksizmit”, si mënyrë për të arritur barazinë politike, ekonomike, kulturore, personale dhe atë shoqërore. 

Festivali u hap me sfilatën e dizajneres Yllka Brada, “Fall21 seksizmi”, dhe koncertin “Kthimi te rrënjët”, për të vazhduar ditën e dytë me punëtori për feminizmin, ekspozitën “Breathe”, si dhe performanca të ndryshme online dhe në teatër. 

Dita e tretë e festivalit mblodhi dashamirësit e filmit në “Kino Armata”, ku u shfaqën filma dhe dokumentarë si: “The Eichmann Project – Terminal 1”, “Neo & Doku Movies”, “Nobody needs her”, Four Mothers”, dhe “Zgjoi”.  

Po ashtu, në kuadër të “FemArt” u bë publikimi i hulumtimit: “Thirrje për veprim: Adresimi i seksizmit, ngacmimit dhe ngacmimit seksual” të shkruar nga Dr. Ariana Qosaj-Mustafa, njëherit kryetare e Bordit të RrGK-së. 

Me këtë rast u vë theksi te nevoja që seksizmi të largohet nga shoqëria jonë, e në veçanti nga mediat e nga jeta kulturore.  

Raporti u pasua nga paneli i diskutimit me temën “Reagimi institucional dhe shoqëror ndaj seksizmit”, pjesë e së cilit ishte edhe Drejtorja Ekzekutive e RrGK-së, Igballe Rogova. Mes terash, Rogova kujtoi se seksizmi i ka rrënjët thellë, duke filluar që nga familja, tekstet shkollore, e mediat. 

Ajo gjithashtu bëri thirrje që seksizmi të luftohet me çdo kusht përmes fushatave, raportimit, dhe reagimeve institucionale. 

Kurse, dita e pestë dhe e gjashtë e festivalit sollën për publikun vallëzim, aktivizëm përmes poezisë, performanca teatrore, si dhe podcast feminist. 

Shumë nga performancat e këtij edicioni, mund t’i gjeni online në faqen e FemArt.  

“FemArt” është organizim feminist që mëton ta revolucionarizojë artin dhe të shkatërrojë normat patriarkale përmes tij. 

LEXO EDHE: “Me liri kundër marres” Festivali FemArt shënoi edicionin  e 7-të 

Fotografitë: FemArt, Facebook