Biletat e filmit u shitën tri orë para se të fillonte filmi. Kjo rriti kuriozitetin e audiencës mbi këtë film, i cili u shfaq në “Kino mbi Lum” me 20 gusht, në Dokufest. Kush kishte bileta shikoi filmin prej kinemasë, ndërsa kishte edhe shumë të tjerë që shikonin prej së largu.
Filmi, Fotografia: Një Jetë Ndryshe u prodhua prej Organizatës së Personave me Distrofi Muskulare të Kosovës (OPDMK). Filmi tregoi storien e një puntorie të fotografisë, e cila ndryshoi jetën e një grupit të njerëzve me aftësi të kufizuara. U prodhua pa fonde, në baza vullnetare.
Antigona Shestan, Drejtore Ekzekutive e OPMDK, tha që filmi ishte i veçantë pasi që personat që merrnin pjesë në puntorinë e fotografisë të mbajtur prej Nafis Llokvica e kanë përfunduar kursin pavarësisht prej aftësive të tyre të kufizuara.
“Kemi punuar shumë për ta përfunduar këtë film dhe nuk kemi pritur që kaq shumë njerëz kanë me na përkrahë” tha ajo. “Jam shumë, shumë e gëzuar që kaq shumë persona kanë ardhë me e pa filmin tonë”
“Ky film nuk ështe film mbi personat me aftësi të kufizuar, por për personat me aftësi të kufizuar”, tha Faldim Vagangjiu. “Aftësitë e tyre të kufizuara nuk i ndalojnë që të jenë fotografë të suksesshëm.”