Foleja publikon hulumtimin mbi ndikimin e COVID-19 në zbatimin e të drejtave të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian

Organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) Foleja më 6 shkurt publikoi të gjeturat dhe rekomandimet nga hulumtimi “Ndikimi i pandemisë COVID-19 në zbatimin e të drejtave dhe ngritjen e mirëqenies sociale komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në komunën e Prizrenit”.

Sipas hulumtimit të bërë në kuadër të nismës së mbështetur nga RrGK “Ndikimi i Pandemisë COVID-19 te gratë dhe vajzat e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian” vetëm 12 për qind e këtyre komuniteteve kanë përfituar nga ndihmat shtetërore, shumë nga ta kanë humbur vendin e punës dhe gjendja ekonomike iu është përkeqësuar. Gjetjet kryesore janë si në vijim:

  • Ndihmat shtetërore karshi pandemisë Covid 19 nuk kanë mbërritur në adresë të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, nga përgjigjet në anketa rezulton se vetëm 12.7% prej tyre kanë pranuar ndihma nga niveli lokal apo ai qendror;
  • 7% e qytetarëve të anketuar e kanë humbur vendin e tyre të punës si pasojë e pandemisë Covid 19, ndërsa 19.7% e të anketuarve kanë deklaruar se një anëtar i familjes se tyre ka humbur vendin e punës si pasojë e pandemisë Covid 19. Gjithashtu, 61.5% e qytetarëve të anketuar nuk e dinë se ekziston Agjencia e Punësimit e Republikës së Kosovës;
  • 44% e qytetarëve që i përkasin komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian, vlerësojnë se situata e tyre ekonomike pas shfaqjes se pandemisë Covid 19 është më e vështirë, apo më e keqe, kurse 3% prej tyre vlerësojnë se situata e tyre ekonomike është shumë me e keqe;
  • Përderisa komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian në Komunën e Prizrenit përfaqësojnë vetëm 2.48% të popullsisë, në statistikat e dhunës në familje kjo përqindje shumëfishohet, duke kaluar deri mbi 26%;
  • Pakon e Ringjalljes Ekonomike, Qeveria e Kosovës nuk e ka vendosur fare në konsultim publik, ashtu siç është e obliguar me dispozita ligjore, për pasojë vetëm 6, apo 23.7% nga 26 masat e Pakos së Ringjalljes Ekonomike ndikojnë direkt edhe tek komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.

Sidoqoftë, falë punës së organizatës Foleja është arritur një bashkëpunim mes institucioneve dhe shoqёrisё civile pёr tё ndёrmarrё hapa konkrete dhe pёr t’i tejkaluar problemet me tё cilat ballafaqohen këto komunitete sa i përket të drejtave tё grave nё familje.

Në tryezën gjatë së cilës u shpalos hulumtimi, Gjyzel Shaljani, koordinatore e projektit u shpreh e kënaqur me rezultatet e arritura.

“Hulumtimi që kemi bërë ka nxjerrë në pah edhe probleme tjera lidhur me nivelin e punësimit, çështjen shëndetësore, nivelin e arsimit, ringjalljen ekonomike – sa kanë qenë masat e duhura për këtë komunitet, a i kanë marrë apo jo ndihmat, gjatë kohës a kanë qenë të siguruar apo jo, e si i kanë kaluar këto vështirësi. Ky projekt shumëçka na ka dhënë, shumë informata dhe na ka vetëdijesuar edhe neve si implementues të këtij projekti”, u shpreh Shaljani.

Ajo përmendi edhe disa prej vështirësive konkrete në të cilat kanë hasur disa prej anëtarëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.

“Për shembull ne gjatë këtij projekti kemi identifikuar gjashtë vajza që kanë pasur nevojë të regjistrojnë shkollat e mesme. Ne kemi avokuar, iu kemi ndihmuar dhe i kemi lutur që të dalin në shkollë. Ato thjesht nuk kanë ditur kujt t’i qasen, si të bëhet regjistrimi, nuk kanë pasur mjete financiare, nuk kanë ditur që është Ministria e Arsimit institucion që iu ndanë bursa nxënësve të shkollimit të mesëm të lartë, nuk kanë ditur ku t’i nxjerrin dokumentet apo cilat dokumente”, theksoi ajo.

Në mesin e pjesëmarrësve të kësaj tryeze ishte edhe Saranda Berisha e cila në një prononcim për KALLXO.com pohoi se sfida më e madhe për komunitetet është mos informimi pasi që për shumë gjëra nuk dinë ku të shkojnë apo ku të adresohen.

“Ky aktivitete mu ka dukur shumë i mirë dhe një mundësi shumë e mirë për zhvillimin e komunitetit dhe për tu inkuadruar sa më shumë dhe komuniteti për aktivitete të ndryshme”, u shpreh ajo.

“Sot, më pëlqeu gjithçka duke filluar prej diskutimit, por edhe prej të dhënave të ndryshme që i morëm. Ishin shumë informacione që nuk i kemi ditur më parë por tash i kemi mësuar.  Kemi mësuar se ku duhet të shkojmë për t’i marrë përgjigjet e të gjitha pyetjeve që i kemi,” shtoi Berisha.

Përgjatë periudhës maj-dhjetor të vitit të kaluar organizata Foleja ka informuar mbi 300 persona të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian të komunës së Prizrenit lidhur me mekanizmat ligjorë kundër dhunës në familje. Në këtë kuadër 42 gra dhe burra kanë realizuar seanca psiko-sociale, me qëllim të përmirësimit të gjendjes psiko-sociale.

Organizata Foleja të gjitha këto aktivitete i ka ndërmarrë si përfituese e raundit të 17-të të Fondit të Grave të Kosovës përmes nismës së RrGK-së “Ngritja e kapaciteteve dhe qëndrueshmërisë së OShC-ve: Avancimi i barazisë gjinore në mes të pandemisë COVID-19” financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë.