“Follow Up” Sjell në Fokus Edukimin mbi Pëlqimin Seksual në Shkollat e Mesme të Prishtinës

Në shkollat e mesme të Prishtinës, nxënësit ndjekin orët e edukatës qytetare ku mësojnë për demokracinë, përgjegjësinë dhe rolin e tyre në shoqëri. Por një temë që ndikon drejtpërdrejt në jetën e tyre të përditshme, pëlqimi seksual, mungon krejtësisht në tekstet shkollore dhe orët mësimore. Edhe pse të rinjtë përballen çdo ditë me rreziqe të ngacmimit, dhunës dhe keqinformimit, edukimi seksual vazhdon të mos jetë pjesë e kurrikulës së Kosovës. Si rezultat, shumë adoleshentë përfundojnë shkollën pa njohuritë themelore që u nevojiten për të kuptuar autonominë trupore, për të vendosur kufij të sigurt ose për të kërkuar ndihmë kur diçka nuk shkon mirë.

Ojq “Follow Up” kishte vërejtur prej kohësh pasojat e këtij boshllëku. Gjatë aktiviteteve të mëparshme me të rinjtë, organizata zbuloi se rreth 90% e nxënësve nuk e dinin çfarë nënkupton pëlqimi seksual, shpesh duke e ngatërruar me “pëlqim” në kuptimin e tërheqjes, për shkak të përdorimit të termit në gjuhën e përditshme. Nxënësit gjithashtu shprehën se nuk e kishin hasur kurrë këtë koncept në asnjë lëndë, as në shkollë e as në shtëpi.

Vlerësimi i Mënyrës se si Pëlqimi Trajtohet në Klasa

Për t’iu qasur këtij problemi, “Follow Up” nisi një iniciativë me qëllim të kuptimit të mënyrës se si pëlqimi seksual shfaqet në materialet shkollore dhe praktikat mësimore, si dhe të identifikimit të ndryshimeve të nevojshme për t’u siguruar që nxënësit të marrin njohuri të sakta dhe të përshtatshme për moshën.

Hapi i parë ishte analiza e detajuar e teksteve të klasave 10, 11 dhe 12. Rezultatet zbuluan një model të qartë se asnjë tekst nuk përmbante mësime të dedikuara për edukimin seksual ose pëlqimin, dhe përmbajtjet mbeteshin kryesisht teorike, në vend që të trajtonin tema të jetës së përditshme që lidhen me adoleshentët.

“Follow Up” gjithashtu intervistoi mësimdhënës të edukatës qytetare nga disa shkollat e mesme të Prishtinës. Asnjëri prej tyre nuk ishte i njohur me termin “pëlqim seksual” para intervistës. Pasi u shpjegua koncepti, ata pranuan rëndësinë e tij, por thanë se nuk e kishin trajtuar kurrë në mësimdhënie pasi nuk gjendet në kurrikulë. Shumica e mësimdhënësve shprehën gatishmëri për ta trajtuar këtë temë në të ardhmen, por theksuan se do t’u duhej trajnim adekuat për ta bërë këtë në mënyrë të sigurt dhe profesionale. Mësimdhënëset femra raportuan se kishin dëgjuar raste të ngacmimit seksual nga nxënësit e tyre, ndërsa mësimdhënësit meshkuj thanë se nuk kishin hasur raportime të tilla, duke reflektuar ndryshime në atë se çfarë nxënësit ndihen rehat të zbulojnë. Disa mësimdhënës gjithashtu vlerësuan se prindërit mund të kundërshtonin përfshirjen e temave të tilla, duke pasqyruar tabutë shoqërore rreth edukimit seksual.

Vëzhgimi i Normave Gjinore në Praktikat e Përditshme Mësimore

“Follow Up” vëzhgoi gjithashtu orë mësimore për të parë se si zhvillohej procesi në praktikë. Vëzhgimet treguan se vajzat dhe djemtë merrnin pjesë në mënyrë të balancuar dhe se klasat ofronin një atmosferë të mirë për diskutim. Megjithatë, u vunë re modele të shpeshta të komunikimit të gjinorizuar.

Mësimdhënësit nxisnin pjesëmarrjen me shprehje të tilla si “hajde vajzë” ose “o djalë”, dhe përdornin fraza të ndryshme disiplinimi në varësi të gjinisë së nxënësit. Në çdo orë të vëzhguar, detyra e monitorimit të detyrave të shtëpisë u jepeshin vetëm vajzave. Për më tepër, rolet drejtuese përmendeshin vazhdimisht me tituj të gjinisë mashkullore, si “kryeministri” ose “deputeti”, duke forcuar në mënyrë të nënkuptuar idenë e udhëheqjes mashkullore.

Shndërrimi i Gjetjeve në Ndryshim Domethënës

Nëpërmjet këtij procesi, “Follow Up” krijoi pasqyrën e parë të bazuar në evidencë mbi mënyrën se si pëlqimi seksual adresohët, ose nuk adresohët fare, në përvojën mësimore të nxënësve të shkollave të mesme në Prishtinë. Gjetjet u përmbledhën në një përmbledhje politikash për të mbështetur dialogun institucional dhe avokimin e ardhshëm.

Gjatë fazës së dytë të projektit, “Follow Up” në bashkëpunim me Rrjetin e Grave të Kosovës zhvilloi një trajnim interaktiv me mësimdhënësit, duke trajtuar çështjet dhe boshllëqet e identifikuara gjatë vëzhgimeve në klasa dhe intervistave. Po ashtu, u organizua një tryezë e rrumbullakët me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga Drejtoria Komunale e Arsimit, Qendra për Punë Sociale dhe Mekanizmi Komunal Koordinues kundër dhunës në familje, ku u ndanë gjetjet kryesore dhe rekomandimet nga përmbledhja e politikave, si dhe u avokua për një diskutim më të gjerë publik mbi nevojën e përfshirjes së edukimit seksual në kurrikulën shkollore.

Duke dokumentuar boshllëqet dhe duke evidentuar nevojat e mësimdhënësve, “Follow Up” ka hapur rrugën për trajtimin e pëlqimit seksual në mënyrë të informuar dhe të bazuar në prova. Në një shoqëri ku heshtja rreth dhunës seksuale vazhdon të dëmtojë të rinjtë, ky projekt përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt krijimit të klasave ku njohuria, respekti dhe autonomia janë pjesë e çdo përvoje mësimore tek secili nxënës.

Nisma e Follow Up “Analiza e Kurrikulës Shkollore dhe e Formave Edukuese mbi Pëlqimin Seksual në Shkolla të Mesme” u realizua me mbështetjen e Fondit të Grave të Kosovës (FGK), i Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe bashkëfinancuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida), në shumën prej 14,900€ nga Qershori deri në Nëntor të vitit 2023 dhe nga Janari deri në Dhjetor të vitit 2024. Iniciativa kontribuoi drejtpërdrejt në Programin e RrGK-së “Edukimi që transformon normat gjinore.”