Kontributi jetësor i çiftit Buçinca për mbështetjen e qasjes së vajzave në arsimim u njoh nga Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga dhe përmes Fondacionit të ri për Arsimim e Vajzave “Çifti Buçinca.”

Fondacioni “Çifti Buçinca” Njeh Kontributin Jetësor të Çiftit për Arsimimin e Vajzave

Më 23 Maj, një Gala Mbrëmje shënoi krijimin e Fondacionit për Arsimimin e Vajzave “Çifti Buçinca”. Për më shumë se 60 vjet, Naxhie dhe Fahri Buçinca kanë punuar në arsimimin formal dhe joformal me vajzat. Tani në moshën e tyre 80 vjeçare, Fondacioni “Çifti Buçinca” është krijuar për të njohur kontributin e Çiftit Buçinca dhe për të vazhduar iniciativën e tyre për t’iu mundësuar vajzave qasjen në edukim në vitet e ardhshme.

Në këtë mbrëmje Gala u mblodhën një shumë fillestare prej €23,969 për Fondacionin “Çifti Buçinca”, kryesisht prej bizneseve lokale, organizatave dhe individëve. Drejtoresha Ekzekutive e RrGGK-së Igballe Rogova kontribuoi në komitetin organizativ.
Gjatë mbrëmjes, Presidentja e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga ndau për çiftin Buçinca Medaljen Presidenciale të Meritave për punën e tyre.
     
Çifti Buçinca kanë kontribuar për ndryshime sociale në Ulqin të Malit të Zi dhe nëpër Kosovë, veçanërisht në Komunën e Vushtrrisë ku ata fokusuan punën e tyre. Naxhie Alibegaj Buçinca punoi shtëpi për shtëpi në fshatrat e Krajës në Komunën e Ulqinit për pesë vite dhe në Komunën e Vushtrrisë për më shumë se 60 vite. Fahri Buçinca filloi të punonte si mësues në moshën 15 vjeçare, duke krijuar shkollën e parë fillore në vitin 1954. Nga viti 1981 deri më 1989, kur shkollat e kontrolluara nga serbët mbyllen dyert e tyre për nxënësit shqiptarë, ai ndërtoi shkolla të reja në fshatrat e Vushtrrisë, Skenderajit dhe Lipjanit. Ata poashtu punuan për të mbajtur gjallë kulturën shqiptare gjatë dekadës së pushtimit të viteve të nëntëdhjeta përmes Grupit të tyre të Veteranëve të Arsimit. Përpjekjet e tyre për mbledhjen e fondeve kanë siguruar fonde nga individë, donatorë dhe biznese të cilat mundësuan që mijëra vajza të vazhdojnë shkollimin e tyre në nivele më të larta.
     
“E kam ditur që çifti Buçinca kanë bërë punë të jashtëzakonshme për shkollimin e vajzave gjatë jetës së tyre, por vetëm sot e dëgjova historinë e vërtetë dhe isha e mahnitur nga arritjet e tyre,” tha Emine Berisha që mori pjesë në Gala Mbrëmje.

RrGGK poashtu nderoi kontributin e çiftit Buçinca me një Çertifikatë Mirënjohjeje, duke shprehur admirim për kontributin e tyre. RrGGK ofroi një donacion në shumë prej €1,000 për Fondacionin “Çifti Buçinca”.