Me 29 tetor, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) mbajti Sesionin Orientues, njëkohësisht edhe konferencën për media, për të shpallur zyrtarisht 14 organizatat përfitueset e 12 granteve të Fondit të Grave të Kosovës (FGK) me shumën prej 47,992.00€. Këto grante, ndër të cilat dy janë në partneritet, financohen nga Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA).
FGK, duke mbështetur këto iniciativa të organizatave që drejtohen nga gratë, kontribuon në ndryshimet që ato mund të bëjnë në komunitetet e tyre. RrGK, përmes FGK-së inkurajon solidaritetin mes aktivisteve të të drejtave të grave dhe të vepruarit së bashku si lëvizje e grave në kuadër të zbatimit të Strategjisë së RrGK-së për 2019-2022, e cila është duke u përpiluar dhe miratuar bashkë me organizatat anëtare të RrGK-së.
Në pjesën e parë të këtij takimi, Nertila Qarri-Gërguri, Kordinatore e FGK-së të RrGK-së, dhe Besa Shehu, Menaxhere e Financave të RrGK-së, ndanë informata të detajuara lidhur me raportimin narrativ, financiar dhe plotësimin e bazës së të dhënave për monitorimin dhe vlerësimin, përmes të cilave do tu lehtësohet përfitueseve procesi i raportimit gjatë zbatimit të këtyre projekteve.
Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive e RrGK, në fjalën e saj përshëndetëse kujtoi fillimet e krijimit të Fondit në vitin 2012 si nevojë e organizatave të udhëhequra nga gratë sidomos për ato në zonat rurale të cilat nuk kanë qasje tek donatorët, duke shprehur kënaqësinë që ky Fond tash është rritur dhe po u mundëson anëtareve të zbatojnë strategjinë e RrGK.
Ndërkaq, Arsim Aziri, Udhëheqës i Administratës dhe Këshilltar i Sektorit Privat në ADA, u shpreh se, “Përmes fuqizimit të gruas në ekonomi dhe edukim po tentojnë që në maksimum të respektohet balanci gjinor”.
Tutje gjatë konferencës për media, Resmije Rrahmani nga Organizata e Personave me Distrofi Muskulare e Kosovës (OPDMK) një nga organizatat përfituese të këtij raundi, u shpreh se kjo është hera e katërt që OPDMK ka përfituar nga FGK. “Këto grante që ne kemi marrë nga Fondi i Grave të Kosovës na kanë ndihmuar për të përimirësuar kualitetin e jetës së personave me aftësi të kufizuar, sidomos për të ndihmuar gratë me aftësi të kufizuara, duke u mundësuar qasje të barabartë në shëndetësi. Ndër vite Rjeti i Grave ka qenë zëri ynë më i fuqishëm dhe jemi shumë falenderuese për mbështetjen”, u shpreh ajo.
Në vazhdim, RrGK dhe organizatat anëtare përfituese nënshkruan kontratat për projektet si vijon:
Grant Avokimi Individual:
- Organizata e Personave me Distrofi Muskulare e Kosovës (OPDMK) me iniciativën: “Shëndeti për të gjithë” (3,840.00€)
- Shoqata e Grave “Aureola” me iniciativën: “Avancimi i ligjit të trashëgimisë” (3,395.00€)
- Shoqata e Mamive të Kosovës (ShMAKS) me iniciativën: “Fuqizimi i rolit të shërbimit profesional të mamive” (3,055.00€)
- Shoqata e Personave me Aftësi të Kufizuar të Mitrovicës – Handikos Mitrovica me iniciativën: “Depresioni tek nënat e fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe tek personat me aftësi të kufizuara” (3,346.00€)
- Psikoterapeutët në Veprim me iniciativën: “Avancimi i kujdesit paliativ në Kosovë dhe sensibilizimi i komunitetit për personat me nevoja te veçanta” (3,351.00€)
- Luna me iniciativën: “Promovimi dhe mbrojtja e të drejtave të grave – kundër dhunës në baza gjinore” (3,511€)
- Gruaja Bashkëkohore me iniciativën: “Stigma e shoqërisë mbi seksualitetin” (3,164.00€)
- Aleanca e Grave për Integrim me iniciativën: “Vetëdijesimi i grave Rome, Ashkalike dhe Egjiptase në komunën e Ferizajit dhe Lipjanit për shëndetin e tyre” (3,665.00€)
- Qendra për Mbrojtjen e Gruas dhe Fëmijës (QMGF) “Raba Voca” me iniciativën: “Pushimi prindëror si model i ardhshëm në Kosovë” (2,795.00€)
- Shoqata e Grave Fermere “Krusha e Vogël” me iniciativën: “Mbështetja e grave në menopauzë” (3,460.00€)
Grante Avokimi në Partneritet:
- Medica Kosova & Djepi i Buzëqeshjes me iniciativën: “Përdorimi i qasjes së bazuar në komunitet dhe traumë për përmirësimin e qasjes së të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës gjatë procesit të njohjes së statusit të tyre” (6,894.00€)
- Dera e Hapur & Ruka Ruci me iniciativën: “Çfarë sjell e nesërmja me mua!” (7,516.00€)
Fondi i Grave të Kosovës (FGK) i RrGK-së ofron grante të vogla për organizatat e grave që nuk kanë qasje në burime të tjera të financimit dhe të cilat kërkojnë të punojnë për të drejtat e grave, veçanërisht për grupet që punojnë në vende rurale dhe/apo personat e margjinalizuar. Që nga viti 2012, FGK ka ndarë 144 grante, duke përkrahur 75 organizata të ndryshme, me shumën prej 532,830.50€. FGK ka pasur më shumë se 19,564 përfitues dhe ka kontribuar në së paku 29 ndryshime të politikave drejt përmirësimit të jetës së grave dhe vajzave në Kosovë. Në vitin 2018, Fondi i Grave të Kosovës mbështetet nga Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA).