Forcimi i Përgjigjes së Koordinuar dhe të Përqendruar te Viktima ndaj Dhunës në Familje në Gjilan

Rrjeti i Grave të Kosovës, në bashkëpunim me Departamentin për Politika Sociale dhe Familjare dhe Këshillin Profesional për Politika Sociale dhe Familjare, më 22–23 dhe 26–27 janar, organizoi trajnim dyditor me punëtorë socialë përfshirë edhe punëtorë socialë nga komuniteti serb, mbi kurrikulen “Puna me Viktimat e Dhunës në Familje: Trajtimi dhe Referimi”.

Për dy ditë me radhë, pjesëmarrësit u përfshinë në ligjërata tematike, diskutime të strukturuara dhe ushtrime praktike, të cilat u mundësuan atyre të thellohen më në detaje në mënyrën e trajtimit, menaxhimit dhe referimit të rasteve të dhunës në familje, në përputhje me kornizën ligjore dhe procedurat institucionale. Diskutimet e hapura sollën në vëmendje përvoja reale nga terreni dhe raste konkrete të hasura në praktikën e përditshme, ndërsa puna në grupe krijoi një hapësirë të rëndësishme për analizë të përbashkët, reflektim profesional dhe gjenerim të ideve të reja mbi përmirësimin e qasjeve institucionale dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.

Gjatë sesioneve të trajnimit, pjesëmarrësit patën mundësinë të thellojnë njohuritë e tyre mbi kuptimin e dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës me bazë gjinore, si dhe mbi kornizën ligjore në fuqi dhe risitë që burojnë nga ligjet vendore dhe konventat ndërkombëtare, përfshirë Konventën e Stambollit. Po ashtu, u trajtua roli dhe përgjegjësitë e profesionistëve të shërbimeve sociale në menaxhimin e rasteve, duke përfshirë identifikimin dhe vlerësimin e rrezikut, referimin e rasteve dhe koordinimin ndërinstitucional. Trajnimi vuri theks të veçantë në qasjen e përqendruar tek viktima, mbrojtjen e fëmijëve dëshmitarë të dhunës, si dhe në punën me grupet e tjera të ndjeshme, përfshirë gratë rome, ashkali dhe egjiptiane, viktimat LGBTQ+, migrantët dhe personat me aftësi të kufizuara.

Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e vazhdueshme të ngritjes së kapaciteteve profesionale, duke vlerësuar ndikimin e drejtpërdrejtë që trajnime të tilla kanë në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve sociale dhe në ofrimin e një qasjeje më të ndjeshme dhe të koordinuar ndaj viktimave.

“Trajnime të tilla janë shumë të nevojshme, sepse na ndihmojnë të përmirësojmë mënyrën se si i trajtojmë rastet e dhunës në familje,” tha një nga pjesëmarrësit.

Ky aktivitet është pjesë e projektit “Institucionalizimi i Shërbimeve Cilësore të Rehabilitimit dhe Integrimit për të Mbijetuarit e Dhunës”, i financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) me mbështetjen e Bashkëpunimit Austriak për Zhvillim.