Forumi Ekonomik i Grave më 12 qershor u është drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës me një letër përmes së cilës u bën thirrje që të mos kalojnë projektligjin aktual të punës në parlament.
Forumi Ekonomik i Grave konsideron se projektligji aktual i punës, i cili përjashton çdo mënyrë të rregullimit të pushimit të lehonisë, pushimit atësor dhe pushimit prindëror, le të pambrojtura gratë në tregun e punës dhe ka mungesë të theksuar të barazisë gjinore mes grave dhe burrave. Ky projektligj në formatin e tij aktual paraqet rrezik të rëndë për mirëqenien e grave.
Duke marrë parasysh nevojën urgjente për përkrahje të 12% të grave aktive në tregun e punës, në pajtim me Strategjinë Nacionale për Zhvillim, Forumi Ekonomik i Grave ka paraqitur tri rekomandimet e mëposhtme:
- Të trajtohet pushimi i lehonisë, pushimi atësor dhe pushimi prindëror në kuadër të Ligjit të Punës dhe jo me një ligj të veçantë,
- Të përfshihet në Ligjin e Punës dispozita e orëve të gjidhënjes me qëllim që grave t’u ofrohet mbrojtje për të ushqyer me qumësht gjiri foshnjat gjatë gjashtë muajve të parë pas lindjes së fëmijës, në pajtim me direktivat e BE-së,
- Të transpozohet koncepti i vetëpunësimit duke shtuar një paragraf i cili do të qartësonte si në vijim:
“Prindërit e vetëpunësuar që zhvillojnë aktivitete ekonomike me qëllim të përfitimit, në llogari të tyre, kanë të drejtë në pushim të lindjes dhe në pushim prindëror, njëjtë sikur prindërit e punësuar”.
Lexoni KËTU letrën e plotë drejtuar deputetëve.
Forumi Ekonomik i Grave është një trup i pavarur, gjithëpërfshirës e unifikues, që ka mbledhur rreth vetes akterë, organizata e individë të shoqërisë që kanë interes, pjesë aktive e angazhim zhvillimin dhe fuqizimin e grave në ekonomi. Forumi është themeluar bashkërisht nga organizatat që përfshihen në mënyrë aktive në përmirësimin e pozitës së gruas në Kosovë.
Organizatat anëtare janë:
Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK)
Instituti Riivest
Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGj
Demokraci për Zhvillim (D4D)
Shoqata e Grave “Medica Gjakova”
Qendra për Mbrojtjen dhe Rehabilitimin e Grave dhe Fëmijëve “Liria”
Gratë për Gratë
Rrjeti i organizatave te grave Rome,Ashkali dhe Egjiptiase te Kosoves – RROGRAEK
Shoqata Afariste e Gruas SHE-ERA