Për shumë familje nga komunitetet Rome, Ashkali dhe Egjiptase në Kosovë, dhuna me bazë gjinore vazhdon të trajtohet me heshtje. Frika nga paragjykimi, vështirësitë ekonomike, mungesa e informatave dhe mosbesimi institucional kanë ndikuar që shumë gra të mos kërkojnë ndihmë, edhe kur përballen me situata të rënda dhune. Këto rrethana e kanë bërë të vështirë qasjen në mekanizmat e mbrojtjes dhe kanë rritur ndjenjën e pasigurisë dhe izolimit social.
Kjo u reflektua qartë edhe gjatë vizitave të para në terren të realizuara nga Rrjeti i Organizatave te Grave Rome, Ashkali dhe Egjiptiane te Kosoves (RROGRAEK) si pjesë e nismës “Adresimi i Dhunës me Bazë Gjinore në Kosovë: Derë më Derë” Një familje nga lagjja Sef në Gjakovë u shpreh se ishte ndier e lehtësuar pasi për herë të parë po informohej për ekzistencën e ndihmës juridike falas për viktimat e dhunës në familje:
“Shpesh kemi heshtur nga frika dhe mungesa e informatave, por marrja e broshurës dhe numrit kontaktues na rriti ndjenjën e sigurisë dhe shpresës.”
Një përvojë e ngjashme u ndje edhe në fshatin Hereq të komunës së Gjakovës, ku një familje theksoi se gjendja e rëndë ekonomike dhe papunësia kanë ndikuar drejtpërdrejt në tensionet brenda familjes:
“U ndjemë të dëgjuar dhe të respektuar. Informimi për zyrën juridike falas na ndihmon të dimë se nuk jemi vetëm dhe se ekzistojnë institucione që na mbështesin.”
Në lagjjen Ali Ibra në Gjakovë, një nënë ndau emocionet e saj gjatë vizitës, duke theksuar se frika dhe paragjykimet shoqërore e kishin penguar të kërkonte ndihmë më herët:
“Broshura dhe kontakti që mora më dhanë guxim për të menduar për hapat e ardhshëm drejt mbrojtjes sime dhe të fëmijëve.”
Edhe një familje nga lagjja Blloku i Ri në Gjakovë reagoi pozitivisht ndaj angazhimit në terren, duke reflektuar mbi realitetin social në Kosovë:
“Situata e përgjithshme sociale shpesh i bën njerëzit të ndihen të pafuqishëm. Këto aktivitete rrisin vetëdijen dhe besimin në mbështetjen ligjore, veçanërisht për rastet e dhunës në familje.”
Përmes vizitave derë më derë, RROGRAEK arriti gjithsej 1,450 persona, përfshirë 39 persona me aftësi të kufizuara, në komunat e Gjakovës, Fushë Kosovës, Mitrovicës, Pejës dhe Prizrenit. Kjo qasje krijoi hapësira të sigurta për dialog dhe informim, duke u mundësuar qytetarëve të njihen me të drejtat e tyre dhe me mekanizmat ekzistues të mbrojtjes dhe raportimit.
Në mënyrë që informacioni të jetë i qasshëm për të gjithë, RROGRAEK realizoi shpërndarjen e broshurave edukative në gjuhën turke, rome dhe serbe, duke reflektuar gjuhët që përdoren në komunitetet e synuara dhe duke adresuar nevojën për komunikim të qartë dhe të kuptueshëm.
Përveç angazhimit në terren, iniciativa pati ndikim edhe në hapësirën digjitale. Përmes fushatës në rrjete sociale, mesazhet për parandalimin e GBV dhe TFGBV arritën mbi 170,000 shikime, duke zgjeruar ndërgjegjësimin përtej kontakteve fizike dhe duke përfshirë një audiencë më të gjerë, veçanërisht të rinjtë.
E zbatuar në kuadër të programit të East-West Management Institute (EWMI) dhe Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), iniciativa tregon se ndërhyrjet e bazuara në komunitet dhe bashkëpunimi strategjik mund të sjellin ndryshim të qëndrueshëm dhe me ndikim real në jetën e grave dhe familjeve nga komunitetet më të margjinalizuara në Kosovë.
