Gjatë Zgjedhjeve të Qershorit, RrGK bëri thirrje të Votohen Gratë!

 Duke qenë të paanshëm politikisht dhe pa dashur të favorizojë asnjë subjekt politik, në javën e parë të qershorit Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) përmes rrejteve sociale nisi fushatën duke bërë thirrje që të votohen gratë nëpër listat zgjedhore në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, që u mbajtën me 11 qershor 2017, që të kontribuojmë në përfaqësimin prej pesëdhjetë përqind (50%) për secilën gjini, ashtu siç e garanton Ligji nr. 05/L-020. Fushata nisi pak pas thirrjes ndaj subjekteve politike që të respektojnë Ligjin nr. 05/L-020 për Barazi Gjinore dhe në listat e kandidatëve të cilat i dorëzohen Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), të ofrojnë mundësi të barabarta për burrat dhe për gratë. 
      Gratë vazhdojnë të mbeten shumë pak të përfaqësuara në politikë dhe në vendim-marrje në nivel kombëtar, komunal dhe partiak. Sipas Ligjit për Barazi Gjinore nr. 05/L-020, është obligim i yni si qytetarë, që të zgjedhim sa më shumë gra në parlament, duke pasur parasysh që subjektet politike dhe Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) kanë dështuar në zbatimin e këtij Ligji. 
      Ligji për Barazi Gjinore garanton integrimin gjinor që nënkupton “përfshirjen e perspektivës gjinore në çdo fazë të procesit, të planifikimit, miratimit, zbatimit, përcjelljes dhe vlerësimit të legjislacionit, politikave ose programeve dhe buxheteve, në të gjitha sferat politike, ekonomike dhe shoqërore.” Po ashtu, ky ligj thotë se “Përfaqësimi i barabartë gjinor në të gjitha organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore dhe institucionet e tjera publike arrihet kur sigurohet përfaqësim minimal prej pesëdhjetë përqind (50%) për secilën gjini, përfshirë edhe organet e tyre drejtuese dhe vendimmarrëse” (Neni 6, paragrafi 8). Gjithashtu, neni 14 thotë: “Partitë politike me aktet e tyre obligohen të zbatojnë masat për promovimin e pjesëmarrjes së barabartë të meshkujve dhe femrave në organet dhe trupat e partive, në pajtim me dispozitat e nenit 6 të këtij ligji”, i cili Nen, poashtu thekson se: “Organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore në të gjitha nivelet, si dhe institucionet tjera publike, janë të obliguara të miratojnë dhe zbatojnë masa të veçanta për të arritur përfaqësimin e gjinisë më pak të përfaqësuar, deri në arritjen e përfaqësimit të barabartë të femrave dhe meshkujve sipas këtij ligji” (Neni 6, paragrafi 7). 
       RrGK konsideron se shumë nga subjektet politike në Kosovë kanë shkelur Ligjin nr. 05/L-020 duke mos ofruar mundësi të barabarta për burrat dhe gratë në listat e tyre zgjedhore. Njëkohësisht, RrGK konsideron që edhe KQZ ka kryer shkelje të Ligjit nr. 05/L-020 duke mos i kundërshtuar qysh në fillim listat e dorëzuara nga subjektet politike dhe njëherit duke mos kërkuar ndryshimin e tyre. Ndërkohë, pas zgjedhjeve KQZ publikoi listat me deputetët e votuar ku 38 janë gra, në krahasim me 82 burra. Kjo nënkupton që Kuvendi do të përbëhet nga 31.6% gra. 17 nga 38 gra janë zgjedhur nga kuota. Kjo do të thotë se vetëm 43% e grave të zgjedhura janë zgjedhur për shkak të kuotës. 
      RrGK do të vazhdojë të punojë në përkrahjen dhe fuqizimin e grave në Kuvendet qendrore dhe komunale pasi që pjesëmarrja e grave në politike është pjesë e Strategjisë së RrGGK-së 2015-2018. RrGK vlerëson zgjedhjet si një element themelor të një shteti demokratik dhe barazinë gjinore si të drejtë themelore të njeriut, andaj ne e konsiderojmë më se të nevojshme dhe të rëndësishme që qytetarëve të Republikës së Kosovës t’u ipen mundësi të barabarta. Mungesa e demokratizimit dhe pjesëmarrja e pamjaftueshme e grave në vendim-marrje brenda shumicës së subjekteve politike historikisht ka privuar padrejtësisht gratë nga pjesëmarrja në vendim-marrje në nivel qendror e lokal.