Për vite me radhë, ajo jetoi në një martesë të palumtur dhe të dhunshme, duke u ndier e bllokuar nga frika, presioni shoqëror dhe figura publike e bashkëshortit të saj, i cili ishte një person i njohur dhe i respektuar në komunitetin e tyre. Ideja për të kërkuar ndihmë i dukej e pamundur. Ajo kishte frikë se askush nuk do ta besonte, se të fliste hapur do të dëmtonte reputacionin e familjes dhe se do të përballej me paragjykime e stigmatizim për shkak të vendimit për t’i dhënë fund martesës.
Pasi fëmijët e saj u rritën, ata e inkurajuan që t’i jepte fund ciklit të dhunës dhe të kërkonte mbrojtje për veten. Mbështetja e tyre i dha forcën për të ndërmarrë hapin e parë drejt një jete pa dhunë.
Pasi mësoi për ndihmën juridike falas të ofruar nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), ajo vendosi të kërkonte ndihmë. Këshilltaret ligjore të RrGK-së i ofruan këshillim juridik konfidencial, e informuan për të drejtat e saj dhe e përfaqësuan gjatë gjithë procesit gjyqësor. Falë udhëzimit profesional dhe përfaqësimit të vazhdueshëm, ajo arriti t’i përballonte procedurat ligjore me më shumë siguri dhe besim.
Pavarësisht përpjekjeve për ta frikësuar dhe bindur që të hiqte dorë nga rasti, ajo mbeti e vendosur. Me mbështetjen e ekipit ligjor të RrGK-së, ajo arriti ta përfundonte me sukses procesin e shkurorëzimit, duke i dhënë fund një martese ku kishte përjetuar dhunë dhe kontroll dhe duke hapur një kapitull të ri në jetën e sa.
Sot, ajo po ndërton të ardhmen e saj me dinjitet dhe pavarësi. Historia e saj dëshmon se qasja në ndihmë juridike cilësore, të përshtatur me nevojat dhe të drejtat e të mbijetuarave, u mundëson grave të kapërcejnë frikën, të kërkojnë mbrojtje dhe të ushtrojnë të drejtat e tyre, si dhe të marrin vendime që ndryshojnë jetën, edhe kur përballen me presion të madh shoqëror dhe me persona me ndikim në komunitet.
