Glas Žena përmbyll me sukses nismën për përfshirje në proceset vendimmarrëse

Organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) Glas Žena (shqip: Zëri i Grave) ka përmbyllur me sukses aktivitetet në kuadër të nismës “Përfshirja e grave në proceset vendimmarrëse në nivel lokal në komunën e Parteshit,” të mbështetur nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) i RrGK-së.

Përmes nismës është ngritur vetëdija për pjesëmarrjen e grave dhe të rinjve nga komuna e Parteshit në vendimmarrje.

Për ta realizuar nismën, organizata fillimisht ka zhvilluar fushata në rrjetet sociale për të informuar qytetarët në lidhje me forcimin e rolit të gruas në proceset vendimmarrëse. Pas fushatës online janë mbajtur takime direkte me dhjetëra të rinj dhe gra të kësaj komune.

Organizata gjithashtu ka zhvilluar anketa me banorët për të mësuar për gjendjen në terren dhe ka organizuar fokus grupe me gra dhe të rinj. Nga tryeza e rrumbullakët e mbajtur pas hulumtimit, pjesëmarrësit kanë thënë se i shohin pengesat më të zakonshme në mentalitetin e përgjithshëm të shoqërisë në zonat rurale, ku gratë janë më së shumti të diskriminuara sepse shikohen nga një prizëm tradicional në të cilin roli i gruas është i varur dhe i nënshtruar.

Një nga vërejtjet në secilin nga tre fokus grupet ishte se një grua e pavarur financiarisht ishte e vetmja që merrte vendimet në mënyrë të pavarur.

Glas Žena në fund të nismës ka nënshkruar një memorandumi me komunën e Parteshit për bashkëpunim në fushën e barazisë gjinore dhe ndryshimin pozitiv të statusit të grave dhe të rinjve.

Glas Žena është përfituese e grantit të raundit të 15-të të Fondit të Grave të Kosovës mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, përmes nismës së RrGK-së “Fuqizimi i Pjesëmarrjes së Grave në Politikë”.