Gra nga 15 Komuna bëjnë strategji për avokim

Grupet e Avokimit të Grave (GAG) nga 15 komuna të ndryshme morën pjesë në punëtorinë e dytë, “Gratë Avokojnë në Nivel Lokal dhe Qendror”, e cila u mbajt me 26 dhe 27 qershor në hotel Arxhena, në malet e bukura të Brodit, në Dragash. GAG mblodhi gra nga asambletë komunale dhe anëtare të RrGGK-së për të bërë një strategji të përbashkët drejt barazisë gjinore në nivel lokal.
     Në sesionin e parë të moderuar nga Igballe Rogova, Drejtoreshë Ekzekutive në RrGGK, pjesëmarrëset raportuan për statusin e kampanjave të avokimit të tyre të përbashkët në komunat e tyre përkatëse.
Kampanjat targetuan çështjet të cilat ato i kishin ngritur gjatë takimit të kaluar në Durrës.
     Edhe pse anëtaret e GAG-ut kanë planifikuar të arrijnë qëllimet e tyre avokuese në fund të vitit 2014, shumica e komunave këtë e kanë përfunduar në fund të qershorit.
“Është shumë mirë që ne kemi arritur ti realizojmë përpjekjet tona avokuese më herët se që kemi planifikuar. Por kjo nuk do të thotë që ne nuk do të identifikojmë çështje tjera për të avokuar për to në pjesën e mbetur të vitit,” tha njëra nga pjesëmarrëset. 
     Punëtoria përfshiu dy sesione, të udhëhequra nga trajnerja inspiruese Shqipe Malushi, përfshirë “Fuqizimi dhe Mendimi Pozitiv – nga e pamundura në realizim”.
“Ky sesion ishte shumë i nevojshëm dhe i dobishëm për ne,” tha një pjesëmarrëse. “Duke marrë parasysh rutinën dhe sfidat me të cilat ne përballemi çdo ditë, definitvisht patëm nevojë që dikush të na kujtoj “të kthehemi mbrapa”, të bëhemi pozitive dhe të na demonstroj teknika të dobishme për ta bërë këtë.”
     Dita e dytë e punëtorisë filloi me një sesion për buxhetimin drejt mirëqenies sociale, të udhëhequr nga Nicole Farnsworth, Menaxhere e Progamit në RrGGK. Ajo ndau një metodë shumë të thjeshtë për buxhetimin drejt mirëqenies sociale që RrGGK ka përdorur në një bashkëpunim me Komunën e Kamenicës dhe Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS).
“Ne të gjithë pajtohemi që fakti se Qarkorja Buxhetore 2015/01 për Komunat inkurajon buxhetimin gjinor është lajm i mirë”, tha një pjesëmarrëse. “Tani ne do të përdorim treguesit nga një perspektivë gjinore për të matur ndikimin e buxhetit mbi jetën e grave dhe burrave.”
     Gjatë sesionit të fundit të udhëhequr nga Igballe Rogova, pjesëmarrëset planifikuan hapat e ardhshëm për GAG.
Mbështetja e GAG-ve është pjesë e arritjes së implemetimit të Planit Strategjik të RrGGK, që përmban qëllime të rëndësishme për të rritur përfshirjen e grave në politikë dhe vendim-marrje. RrGGK beson se pjesëmarrja aktive do të jetë e mundur vetëm përmes bashkëpunimit dhe avokimit të përbashkët për çështjet që gratë i cilësojnë të rëndësishme në nivel lokal dhe kombëtar.
     Ky aktivitet është mbështetur nga Austrian Development Agency (ADA).
GAG bashkojnë gratë nga politika dhe gratë nga shoqëria civile në përpjekje për të avokuar për të drejtat e grave dhe barazinë gjinore në nivel lokal.