Gjithsej 84 përfitues, 78 gra dhe gjashtë burra, të skemës së ndihmës sociale në rajonin e Drenicës u informuan mbi të drejtat e tyre dhe përfshirjen në treg të punës. Kjo falë një varg trajnimesh që ata ndoqën për aftësim profesional dhe fuqizimin ekonomik të grave.
Gjithashtu, rreth 260 gra dhe burra nga dhjetë fshtara të Komunës së Klinës, Mitrovicës dhe Skënderajt janë ndërgjegjësuar për të drejtat e grave, me theks në ndarjen e subvencioneve.
Këto janë vetëm disa nga rezultatet që flasin për suksesin e nismës “Promovimi i punësimit për përfituesit e Skemës Sociale në Rajonin e Drenicës”, ndërmarrë nga organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Shoqata e Grave Bletare “Okarina e Runikut”, si përfituese nga roundi I 14-të i Fondit të Grave të Kosovës (FGK).
Aktiviteti përmbyllës i këtij projekti u organizua me 1 korrik dhe mblodhi zyrtarë nga Komuna e Skenderajt; Drejtorin e Departamentit të Bujqësisë Sokol Sallahu, Zyrtaren për Barazi Gjinore Hyka Imeri, Zyrtaren e Skemës Sociale Syka Beqiri, si dhe përfaqësues nga organizatat e grave dhe shoqërisë civile.
Në këtë tryezë u diskutua mbështetja e grave dhe vajzave të zonave rurale të Rajonit të Drenicës në sipërmarrje të vogla duke rritur përfshirjen e tyre në jetën socio-ekonomike të vendit, rritjen e punësimit të tyre, si edhe përmirësimin e jetës familjare.
“Gjatë muajit mars kemi anketuar 100 persona në rajonin e Skenderajt. Nga rezultatet e anketave kuptohet se në cilat fusha duhet të përqëndrohet ky rajon, si dhe për çfarë duhet të avokohet në mënyrë që të krijojmë më tepër mundësi për punësimin e grave dhe zhvillim ekonomik të vendit tonë”, u shpreh Fetije Smakaj, Koordinatore e Projektit dhe Drejtore e Shoqatës “Okarina e Runikut”.
“Fuqizimi i grave dhe vajzave në zonat rurale mbetet sfidë e madhe për vendin. Në vitet e fundit, Kosova ka bërë përpjekje të rëndësishme për të trajtuar këtë sfidë përmes angazhimeve nacionale për barazinë gjinore”, tha Valbone Sadiku, udheheqese e takimit.
Sallahu, e vlerësoi shumë këtë nismë dhe shtoi se “Si komunë kemi nxjerrw shumë përfundime dhe kemi arrit që së bashku të jemi zëri i gruas në Rajonin e Drenicës. Ndërsa bashkëpunimi ndërmjet institucioneve dhe komunitetit të biznesit është mëse i domosdoshëm”.
Gjatë trajnimeve, anketës dhe sesioneve informuese, kjo organizatë doli me rekomandimet si vijon:
- Të bëhet rimburësimi i shpenzimeve të udhëtimit për të vijuar shkollimin,
- Të rritet numri i bursave për gra dhe vajza,
- Të respektohet buxhetimi i përgjegjshëm gjinor: ndarje e barabartë e fondeve dhe subvencioneve si për gra po ashtu dhe për burra,
- Të ketë informim të rregullt përmes organizatave jo qeveritare- më shumë pjesëmarrje në dëgjime buxhetore, tryeza dhe trajnime që zhvillohen nga organizatat dhe institucionet.
- Të mbahet panairi tradicional ku gratë kanë mundësi të shesin dhe të promovojnë produktet e tyre,
- Të punohet në fuqizimin e grave dhe vajzave në viset rurale,
- Të ketë harmonizim ndërmjet Drejtorisë së Bujqësisë dhe Qendrës për Punë Sociale për mos ndaljen e asistencës sociale kur bëhet ndarja e subvencioneve.
Kjo nismë mbështetet nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) dhe financohet nga Agjensioni Austriak për Zhvillim (ADA) dhe bashkëfinancohet nga UN Women.
Përveç organizatës Shoqata e Grave Bletare “Okarina e Runikut”, përfituese nga raundi i 14-të i FGK-së janë edhe 19 organizata anëtare të tjera. Listën e plotë mund ta lexoni KËTU.