Me 30 shtator, organizata “Together in Progress” mbajti tryezën e rrumbullakët me temën “Cili është mekanizmi i munguar deri më sot që grave fermere të Komunës së Gjakovës dhe hapësirës së Namasgjahut u siguron stabilitet?”, ku morrën pjesë gratë fermere, drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë në Komunën e Gjakovës, përfaqësuses nga ndërmarrja Çabrati dhe nga shoqëria civile, përfshirë edhe përfaqësueset nga Rrjeti i Grave të Kosovës.
Ky aktivitet u organizua në kuadër të projektit “Nga Nëna-Avokim për gratë fermere të Komunës së Gjakovës”.
Fillimisht znj. Arbresha Maloku, drejtore e organizatës, bëri një prezantim të shkurtër lidhur me qëllimin e projektit në tërësi, që është fuqizimi ekonomik i grave fermere të zonave rurale të kësaj komunë, duke e rifunksionalizuar hapësirën e Namasgjahit, si dhe duke krijuar partnerë mbështetës institucional dhe biznesor.
Sipas anketës së kryer nga Agjensia e Statistikave të Kosovës në vitin 2016, nga e gjithë popullsia në moshë të punës, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është 35.2%. Punësimi më i lartë është tek burrat, 38.6%; ndërsa punësimi te gratë është 12.2%, si një ndër shifrat më të ulëta në botë. Sipas këtyre rezultateve, fuqia joaktive është mjaft e lartë, 64.8%, me fokus të veçantë te gratë me 82.6%, krahasuar me burrat, 47.2%. Duke i marrë për bazë këto statistika rezulton se pozita e gruas në shoqërinë tonë nuk është aspak e favorshme. Gratë përveç që përballen me papunësinë, edhe ato pak gra të cilat merren me ndonjë veprimtari bujqësore shteti/komuna nuk iu ka siguruar kushte të përshtatshme dhe për këtë arsye shumë nga gratë ndalojnë të merren me ndonjë biznes.
Drejtori i bujqësisë në Komunën e Gjakovës, z. Bekim Ermeni theksoi se Komuna e Gjakovës ndanë 500 mijë euro subvencione për fermerët e kësaj komune, ku përfituese direkte janë 2000 gra, ndërsa indirekt deri në 5000 gra. Ai po ashtu shtoi se në periudhen 2014-2017, diku rreth 200 gra fermere kanë përfituar subvencione.
Ai theksoi se një problem se pse gratë përfitojnë më pak sesa burrat është numri i vogël i pronave në emër të tyre. Më tutje z. Ermeni shtoi se “me qëllim të motivimit të grave që të aplikojnë për subvencione dhe që të merren më shumë me bujqësi, Komuna ka ndërruar rregulloren për dhënien e subvencioneve, në të cilën tani është paraparë që gratë dhe minoritetet të kenë nga 5 pikë me shumë.”
Gratë fermere theksuan se për to problem paraqet edhe mos sigurimi i tregut për shitjen e produkteve të tyre, ku si pasojë, shumë produkte iu prishen pasi që nuk blihen. Njëra nga gratë theksoi se “tregun e hapur nuk e shoh të arsyeshëm, sepse çmimet e shitjes së produkteve janë mjaftë të ulëta”.
Përderisa më parë si vend i vetëm në të cilën është kryer blerja ka qenë Namasgjahu, për shumë tregtarë/re tani problem paraqesin mini tregjet, edhe pse sipas qytetarëve mini tregjet janë me lehtë të arritshme për të gjithë.
Në fund të takimit, u rekomandua që shoqëria civile të ndihmoj duke kërkuar nga bankat zvogëlimin e kamatës së interesit për kreditë që merren për bujqësi.
Ky projekt është mbështetur nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) i Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), financuar nga Agjensioni Austriak për Zhvillim (ADA).