Me 4 mars, Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave (QPDG) në kuadër të inicativës “Vetëdijësimi i grave dhe vajzave për të drejtat e tyre në kujdesin shëndetësor” organizoi një takim i cili kishte për qëllim vetëdijësimin e grave për sëmundjen e kancerit të gjirit.
Në këtë takim ishin prezente 25 gra të fshatrave të ndryshme të Komunës së Drenasit, shumica e të cilave ishin nëna të vetme, gra të cilat kanë përjetuar dhunë fizike dhe seksuale në kohë të luftës. Në këtë takim morrën pjesë edhe përfaqësuese nga Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK).
Qëllimi kryesor i kësaj iniciative është që të bëhet përmirësimi i qasjes së grave dhe vajzave në kujdesin shëndetësor në Komunën e Drenasit, duke pasur parasysh gjendjen shëndetësore të grave të cilat kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftes, rastet e dhunës në familje, rastet e grave të veja dhe gratë me aftësi të kufizuara, të cilat nuk kanë qasje në shërbime të duhura mjeksore.
Doktoresha e cila ishte prezente i njoftoi gratë dhe vajzat me shenjat e shfaqjes së kancerit të gjirit apo të mitrës, me disa faktorë që mendohet që mund ta shkaktojnë kancerin si dhe me trajtimin e kësaj sëmundje e cila është mjaft prezente, dhe e cila po shkakton vdekjen e një numri të madh të grave dhe vajzave.
Të pranishmet theksuan se një nga problemet më të mëdha për to është paragjykimi nga shoqëria. Njëra nga të pranishmet theksoi se kur ajo ka shkuar që ta kryej testin e mamografisë apo që të bëjë ndonjë kontrollë tjetër mjeksore është përfolur nga të tjerët, lidhur me atë “se çfarë arsye ka kjo që të shkojë të bëjë një vizitë të tillë tek mjeku, kur kjo është e grua e ve dhe nuk ka nevojë që të kryej kontrolla të tilla.”