Gratë në Komunën e Obiliqit mësojnë si të përpilojnë një plan biznesi

 Organizata “Education Code” ka mbajtur punëtorinë tri ditore në kuadër të projektit “Gratë sipërmarrëse”, punëtori kjo që u organizua në Komunën e Obliqit. Qëllimi i përgjithshëm i këtij projekti është fuqizimi ekonomik i grave sipërmarrëse kosovare dhe ngritja e kapaciteteve të tyre në biznes dhe ndërmarrësi.            

         “Education Code” organizoi këtë punëtori, duke marrë parasysh numrin mjaftë të ulët të grave të cilat janë të kyçura në biznes, sidomos në zonat rurale, bazuar në statistikat e nxjerra nga Agjencia për Barazi Gjinore në Zyrën e Kryeministrit, ku del se “në Kosovë vetëm çdo i nënti biznes është në pronësi të grave.” Për më tepër nga i njëjti burim del se “gratë në Kosovë janë pronare të 11% të bizneseve. Pastaj, 99.9% e bizneseve që janë në pronësi të grave janë mikro-ndërmarrje, që kanë prej 1 – 9 punëtorë. Për shkak të mungesës së konsulencës, trajnimeve dhe ngritjes së kapaciteteve të grave në biznes, shumica e bizneseve të grave për një kohë të shkurtër janë detyruar ta ndalin veprimtarinë e tyre.”
          Në ditën e parë të punëtorisë u diskutua lidhur me qëllimin e projektit dhe për atë se çfarë do të bëhet gjatë kësaj punëtorie, ndërsa në ditën e dytë u trajtua tema “Krijimi dhe Zhvillimi i Mikrobizneseve”.
E në ditën e tretë, ku të pranishme ishin 14 gra, tema ishte “Krijimi i Planit të Biznesit”. Gjatë ditës së tretë të trajnimit, për të treguar përkrahjen për të pranishmet dhe njëherit për të monitoruar nga afër mbarëvajtjen e projektit, morri pjesë edhe përfaqësuesja e RrGK. Gjatë kësaj dite, të pranishmeve iu shpjegua në mënyrë të detajuar se si të pregaditet një biznes plan; cilat rreziqe duhet të mirren parasysh; se çfarë duhet të përmbajë një plan biznesi; si dhe që rëndësi mjaft të madhe duhet t’i kushtojmë edhe analizës së tregut, pasi që kërkesat tona në biznes plan duhet të jenë reale dhe në përputhje me çmimet e tregut.
            Të pranishmet ishin mjaft të kënaqura me trajnimin, pasi që shumica e tyre merren me ndonjë veprimtari të cilat i ushrojnë në formë të ‘zanatit’, siç janë punë dore, rrobaqepësi e bletari, si dhe pretendojnë t’i zgjerojnë ato si biznes në të cilin do të mund të punësonin edhe gra të tjera. 
       Drejotresha e organizatës “Education Code”, znj. Mimoza Statovci, kishte pregaditur për të pranishmet një listë në të cilën i gjejnë thirrjet që shpallen për mbështetje të grave me grante apo subvencione të ndryshme. Njëra nga të pranishmet theksoi se kishte mësuar mjaft shumë nga kjo punëtori dhe se “nga viti i ardhshëm do të aplikoj për subvencione tek donatorë të ndryshëm.” Po ashtu ajo theksoi se kjo punëtori “e ka motivuar që të punoj me shumë edhe të mos dorëzohet përkundër refuzimeve që mund t’i merr nga donatorët.”
Gratë u shprehen mirënjohëse për faktin “që tani e dijnë se kujt t’i drejtohen për idetë e tyre”. Po ashtu, njëra nga gratë e cila merrej me punë dore, por nuk kishte marrë pjesë asnjëherë në panaire, madje as nuk kishte dëgjuar për to, nga stafi i RrGK u vu në kontakt me dy organizata të cilat po ashtu janë anëtare të RrGK, me qëllim që punimet e saj t’i dërgoj tek këto dy organizata dhe të marrë pjesë në panairet që ato i organizojnë.           
Ky projekt është mbështetur nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) i Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) si dhe është financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.