Gratë në Qendër të Paqes – Dita Globale e Hapur 2025 mbledh zëra të fuqishëm për ndryshim  

Me një atmosferë plot energji, sot në Ditën e Hapur të Përgatitjeve Globale për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, u dhanë një sërë deklaratash të fuqishme dhe reflektime mbi rolin e grave në rrugëtimin e Kosovës drejt paqes dhe sigurisë. 

Sot më 14 maj 2025, në ambientet e Hotel Emerald në Prishtinë, kjo ngjarje vuri në qendër të vëmendjes rolin jetësor të grave në ndërtimin e paqes dhe sigurisë. Kjo ditë u zhvillua në prag të shënimit të 25-vjetorit të Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, me temën: “Gratë, Paqja dhe Siguria: Mësimet e nxjerra dhe rrugët përpara”.   

Caroline Ziadah, shefja e UNMIK-ut, theksoi rolin jetik që luajnë gratë si heroina dhe ndërtuese gjatë konflikteve. Ajo iu drejtua drejtpërdrejt grave të pranishme, duke thënë: “Përparimi është i juaji – gjithnjë e më shumë vajza dhe gra po arsimohen falë jush”. Megjithatë, ajo pranoi se dhuna seksuale dhe dhuna me bazë gjinore mbeten ende si hije, por nënvizoi se një dhunë e tillë është gjithmonë e papranueshme. Ziadah theksoi nevojën për fuqizim ekonomik të grave në mënyrë që ato të vazhdojnë të lulëzojnë në paqe. Ajo vuri në dukje edhe rëndësinë e respektimit të diversitetit gjuhësor dhe se mediat duhet të pasqyrojnë realitetin pa manipulime. “Drejtësia që përjashton gratë nuk është drejtësi fare”, deklaroi ajo. Mesazhi i saj përmbyllës ishte i fuqishëm: “Kur ngrihen gratë, ngrihet Kosova”. 

Drejtorja Ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore, Edi Gusia, refletoi mbi përparimin e Kosovës në barazinë gjinore, duke përmendur themelimin e Agjencisë për Barazi Gjinore në vitin 2005 dhe krijimin e Planit të Veprimit për Rezolutën 1325 në vitin 2013. Gusia theksoi normën e suksesit prej 79% në zbatimin e aktiviteteve nga plani, një arritje e rrallë krahasuar me dokumentet e tjera strategjike. Ajo përmendi themelimin e një Komisioni për verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, licencimin e katër OJQ-ve dhe angazhimin e Kosovës për dhënien prej 11.3 milionë eurosh për të mbështetur të mbijetuarit. Megjithatë, ajo theksoi rëndësinë e dhënies së mundësisë  që Kosova ta prezantojë agjendën e barazisë gjinore para komitetit të CEDAW të Kombeve të Bashkuara. 

Drejtorja Ekzektive e Rrjetit të Grave të Kosovës, Igballe Rogova, ndau një kritikë të fuqishme për mënyrën e zbatimit të Rezolutës 1325. Ajo theksoi se megjithëse rezoluta u krijua për të mbështetur organizatat e grave, duke i njohur ato si agjente kyçe për ndërtimin e paqes dhe stabilitetit, ata që e nënshkruan, nuk e respektuan. 

Rogova kujtoi se në kohën e pasluftës, komuniteti ndërkombëtar shpesh e anashkalonte përfshirjen e grave. Ironikisht, shumë nga takimet e organizuara rreth kësaj rezolute u mbajtën pa asnjë grua të pranishme – një kontradiktë e dhimbshme për një rezolutë që ka në thelb përfshirjen dhe fuqizimin e grave. Në atë kohë, një nga aleatët më të fortë ishte Ambasadori Chowdhury, i cili shtyu përpara Rezolutën 1325 derisa ajo u miratua. Rogova foli për zhgënjimin nga përjashtimi i grave gjatë negociatave Kosovë-Serbi, duke përmendur iniciativat rajonale si Koalicioni i Grave për Paqe, një koalicion mes RrGK dhe Grave ne të zeza,  duke sjellë perspektivat e grave të cilat mungonin gjatë negociatave. 

Rogova poashtu bëri thirrje për një solidaritet më të fortë mes grave dhe theksoi disa herë se organizatat ndërkombëtare nuk duhet të konkurrojnë me ato vendore, por të perkrahin dhe bashkëpunojnë me to. 

“Institucionet e Kosovës nuk bën t’ia mbyllin derën organizatave të grave ndërsa gratë duhet të jenë më shumë solidare me njëra-tjetrën”, tha Rogova.

Emilija Rexhepi përmendi se gratë në Kosovë kanë treguar lidership në ndërtimin e paqes. 

Drejtorja Ekzekutive në OJQ Žensko Pravo, Ruziqa Simiq, theksoi mungesën e arsimit dhe dialogut, si elemente thelbësore për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë. 

Drejtorja Ekzekutive e Qendrës për Studime Gjinore të Kosovës (KGSC), Luljeta Demolli,  theksoi rëndësinë e integrimit të çështjeve të grave në të gjitha nivelet e sistemit. Ajo përmendi se përparimi i Kosovës shërben si model për të gjithë rajonin. 

Së fundi, Sanija Murati, Drejtore Ekzekutive, OJQ Lady dha një këshillë për gratë, veçanërisht ato nga rajone të tjera: “Mësoni gjuhën e vendit ku jetoni”, tha ajo. Ajo foli gjithashtu për keqkuptimet dhe dezinformimin mbi Kosovën dhe popullin e saj në rajon, duke vënë në dukje se politika shpesh e ndan jetën e përditshme. “Në Kosovë, nuk kam armiq”, tha ajo me vendosmëri, duke theksuar fuqinë e zgjedhjes dhe unitetit. 

Përgjatë ngjarjes, pjesëmarrësit patën mundësi të vizitonin edhe një ekspozitë me punime artizanale të realizuara nga gratë, duke promovuar kreativitetin dhe sipërmarrjen vendore si pjesë e rëndësishme e ndërtimit të paqes.  

Këto zëra në Ditën e Hapur përgatitore Globale paraqitën një tablo të përpjekjeve të vazhdueshme dhe qëndrueshmërisë së jashtëzakonshme të grave të Kosovës. Mesazhi ishte i qartë: solidariteti i vazhdueshëm, mbështetja dhe pjesëmarrja aktive si në platformat lokale ashtu edhe ato globale do të jenë thelbësore për ndërtimin e paqes dhe barazisë së qëndrueshme.