Me 26 Gusht 2016, Iniciativa për Zhvillimin e Bujqësisë së Kosovës dhe Qendra e Gruas “ATO” organizuan një takim me 15 gra nga fshatra të ndryshme të komunës së Vushtrrisë, për të diskutuar mbi Buxhetimin e Përgjegjshëm Gjinor.
Në këtë takim gratë mësuan se çfarë përfshin buxhetimi i përgjegjshëm gjinor, dhe se si gratë nga zonat rurale mund të kontribuojnë për të mirën e vendit të tyre, duke marrë pjesë në konsultimet publike për buxhetin. Gratë e pranishme nuk kishin dëgjuar kurrë për konsultime publike komunale, si dhe nuk e dinin që mund të marrin pjesë në takime të tilla dhe të paraqesin shqetësimet e tyre.
Pjesëmarrësit u motivuan që të merrnin pjesë në takimet publike dhe kërkesat e tyre ishin shumë të qarta. Si për shembull ato shprehën pakënaqësinë me mungesën e kontrollit dhe mbikëqyrjes mbi ujërat e zeza, që ka mbuluar fushat e tyre duke i bërë ato të papërdorshme. Një problem tjetër është përhapja e qenve endacakë që po rrezikojnë fëmijët.
"Duhet të zgjohem dy orë më herët për të dërguar djalin tim në shkollë, sepse ai është i vogël dhe jam e frikësuar se diçka mund t’i ndodhë," tha një pjesëmarrëse.
Gjatë këtij takimi, Donjeta Morina, Koordinatore e RrGGK-së për Zhvillim të Kapaciteteve ka informuar gratë mbi Ligjin për Barazi Gjinore, ligj që garanton barazinë mes grave dhe burrave. Komunat mund të arrijnë barazinë gjinore përmes shpenzimeve të tyre, duke u siguruar se shfrytëzimi i burimeve publike plotëson nevojat prioritare të grave dhe burrave.
Kjo parashihet në Ligjin për Barazi Gjinore, që kërkon buxhetim të përgjegjshëm gjinor. Përmes kësaj nisme, gra nga fshatrat Skrom, Sllakovc, Novolan, Maxhunaj dhe Bukosh janë trajnuar dhe motivuar për të marrë iniciativën që të krijojnë të ardhura, të merren me aktivitete bujqësore dhe të aplikojnë për subvencione për zgjerimin e bizneseve të tyre.
Ky projekt në partneritet është mbështetur nga Fondi i Grave të Kosovës, financuar nga Austrian Development Agency (ADA).