Gratë nga fshati Carrabreg i Deçanit mësojnë për ndërmjetësimin

 Me 3 tetor, organizata “Klubi Social Jeto” organizoi takimin me gratë e fshtatit Carrabreg të Komunës së Deçanit, në kuadër të projektit “Qasje më e lehtë në drejtësi për gratë të cilat kanë mosmarrëveshje apo konteste pronësore”, ku pjësmarrëse ishin 15 gra, si dhe përfaqësueset nga Rrjeti i Grave të Kosovës.

Zn. Vjosa Shehu, menaxhere e projektit, bëri një prezantim të shkurtër të projektit, duke treguar se qëllimi i përgjithshëm i tij është “Vetëdijesimi i zyrtarëve të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, si dhe krijimi i kontakteve në mes të tyre dhe Qendrës për Ndërmjetësim për t’i ndihmuar gratë dhe vajzat të flasin lirisht lidhur me kontestet apo mosmarrëveshjet e tyre”. Ky projekt synon të bëjë vetëdijesimin e grave dhe vajzave për procedurën e ndërmjetësimit.
            Dinamika e shpejtë e zhvillimit ekonomik dhe ndryshimet shoqërore që po ndodhin në vendin tonë në këto vitet e fundit, është e karakterizuar me rritjen e numrit të madh të mos marrëveshjeve dhe konflikteve të shumta ndër-njerëzore. Në situata të tilla konfliktuale, shpesh njerëzit mendojnë se forma më e zakonshme e zgjidhjes së konflikteve është përmes procedures formale gjyqësore.
Megjithatë, gjykimi nuk është mjeti i vetëm i zgjidhjes efektive të kontesteve në mes palëve të ndryshme. Forma më themelore e zgjidhjes së kontestit është ajo e negociimit, që kryesisht përfshinë diskutimet në mes të palëve të interesuara me qëllim të pajtimit të mendimeve të ndryshme, apo së paku të kuptojnë qëndrimet e ndryshme të cilat ata i kanë.
Në këtë kuptim, duke parë se në Kosovë gratë shpeshherë përfshihen në mosmarrëveshje apo konflikte të ndryshme, ndërmjetësimi ju jep atyre të drejtën për të qenë të barabarta në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
Në Kosovë ekziston Ligji për Ndërmjetësim Nr. 03/L-057, i cili është proceduë e besueshme dhe konfidenciale, ku përmes ndërmjetësimit palët mund t’i zgjidhin mosmarrveshjet jashtë procedurave gjyqësore.
Zn. Shehu tregoi se “ndërmjetësimi është mënyrë më paqësore për zgjedhjen e mosmarrëveshjeve dhe se procedura e ndërmjetësimit zgjatë shumë më pak sesa ajo në gjykatë, maksimumi është 90 ditë, e po ashtu është shumë më pak e kushtueshme për palët.”
Të gjitha gratë pjesmarrëse pranuan se për herë të parë ndëgjuan për ndërmjetësimin, me ç’rast njëra nga gratë tha “uroj që të mos kem kurrë ndonjë kontekst, por në rast se do të kem ndonjë herë një situatë të tillë, tani e di se kujt duhet t’i drejtohem.”
Në fund të takimit Zn. Shehu, duke qenë edhe vet ndërmjetësuese, i njoftoi gratë se nëse ato apo ndonjë i afërm i tyre ka ndonjë kontekst, mund t’i drejtohen asaj, me ç’rast edhe ofroi që ajo ta kryejë procedimin e rastit pa pagesë.
Ky projekt është mbështetur nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) i Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), financuar nga Agjensioni Austriak për Zhvillim (ADA).