“Gruaja fermere” mban ligjërata për edukimin seksual me nxënës të Rahovecit

Organizata anëtare e Rjetit të Grave të Kosovës (RrGK-së), “Gruaja fermere” ka vazhduar zbatimin e nismës “Edukimi seksual i përshtatur sipas moshës dhe zhvillimit”. Nxënësit e Shkollës së Mesme Teknike “Selajdin Mullaabazi – Mici” patën mundësinë ta ndjekin ligjëratën e Dr. Florije Kafexhiu rreth shëndetit riprodhues, planifikimit familjar, shtatzënive të padëshiruara, dhe shëndetit të adoleshentëve.  

Koordinatorja e projektit, Muradije Shehu, tha se kanë përzgjedhur ta trajtojnë këtë temë për arsye të nevojës së madhe për vetëdijesimin e të rinjve për shëndetin riprodhues.    

“I jemi falënderues Rrjetit të Grave të Kosovës, përmes së cilit u mundësua realizimi i këtyre ligjëratave, të cilat janë shumë të dobishme për të rinjtë”, u shpreh ajo. 

Ndërkaq, ligjëruesja Kafexhiu këshilloi nxënësit që të jenë të vetëdijshëm për rreziqet shëndetësore që mund t’u kanosen. 

“Ju duhet të ndiheni të lirë të dini më shumë për edukimin seksual sepse mungesa e informacionit mund të ketë pasoja të shumta e infeksionet janë ndër më të shpeshtat dhe duhet të trajtohen me kujdes sepse ka prej tyre që nuk shfaqin fare simptoma në fillim”.  

Ajo i këshilloi nxënësit, që përkundër ndryshimeve psikologjike e emocionale që mund t’i shoqërojnë gjatë adoleshencës, të bisedojnë me prindër apo psikologë për çdo shqetësim. Shtoi se në asnjë mënyrë nuk duhet përdorur substancat narkotike apo alkoolin, si tentim për t’u ikur problemeve. 

Nxënësja e stomatologjisë, Anjeza Krasniqi, u shpreh e kënaqur me trajnimin. 

“Më ka pëlqyer tema që e kemi diskutuar sot sepse kemi mësuar shumë gjëra që nuk i kemi ditur, dhe për të cilat nuk kemi diskutuar asnjëherë në shkollë. Këto informata do të na ndihmojnë që të kemi kujdesin e duhur për shëndetin tonë”, tha ajo. 

Aktivitetet paraprake të organizatës “Gruaja fermere” kanë përfshirë diskutime me drejtorë e mësimdhënës shkollash, të cilët kanë përkrahur idenë e përditësimit të planprogramit shkollor me lëndën e edukimit seksual. Ndërsa në vijim pritet të mbahen edhe tetë ligjërata me nxënës të shkollave të mesme të larta dhe atyre të mesme në Rahovec. 

Kjo nismë, përfituese nga rundi i 15 i Fondit të Grave të Kosovës, financohet nga Agjencia Austriake për Zhvillim dhe bashkëfinancohet nga Agjencia Suedeze për bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar, përmes Ambasadës së Suedisë në Prishtinë, në kuadër të nismës së RrGK-së “Avancimi i Mëtejshëm i të Drejtave të Grave në Kosovë II”.