Gruaja Hyjnore mban ligjërata vetëdijesuese me nxënës për ngacmimet seksuale dhe raportimin e tyre

Organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Gruaja Hyjnore ka vazhduar aktivitetet e ndërmarra në kuadër të nismës përfituese nga rundi i 15 i Fondit të Grave të Kosovës (FGK) “Edukata seksuale si lëndë mësimore në shkolla fillore dhe të mesme”.

Më 22 dhjetor 2021, Gruaja Hyjnore ka mbajtur një ligjeratë me nxënësit e shkollës së mesme tenike “Mehmet Isai” në Gjilan, me ç’rast u diskutua më gjerësisht rreth ngacmimit seksual si dhe mënyrave për parandalimin e raportimin e tij.

Vajzat dhe djemtë e pjesëmarrës gjatë ligjeratës bashkëbiseduan dhe mbi atë se si të largohen tabutë që ende gjenden në shoqëri rreth kësaj teme. Nxënësit si një hap tejet të rëndësishëm e vlerësuan mundësinë që të kenë qasje sa më të lirë dhe komunikim më të hapur me prindër, mësimdhënës dhe instiucione në rast të ballafaqimit me ngacmime seksuale brenda shkollës ose edhe jashtë saj.

Menaxherja e Projektit në këtë organizatë, Qëndresa Hajdari ka njoftuar nxënësit që në kuadër te kësaj nimse janë të paraparë edhe takime informuese me prindërit, kjo duke ditur rolin e rëndësishëm të tyre në luftimin e kësaj dukurie dhe vetëdijësimin e fëmijëve.

“Do t’i shpalosim me prindërit dhe mësimdhënësit rastet që kanë ndodhur në të kaluarën, si dhe pasojat që po i lënë në fëmijë, familje dhe shoqëri”, theksoi Hajdari ndër të tjerash.

Kjo nismë e organizatës “Gruaja Hyjnore” është mbështetur nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA), përmes nismës së RrGK-së “Avancimi i Mëtejshëm i të Drejtave të Grave në Kosovë II”, bashkë-financuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida), përmes Ambasadës së Suedisë në Prishtinë.