Në kuadër të iniciativës “Avokimi për sigurimin e transportit pa pagesë për personat e verbër”, Komiteti i Grave të Verbëra të Kosovës (KGVK) organizoi takimin përmbyllës ku morrën pjesë përfaqësuese të Asamblesë Komunale, Grupi i Grave Deputete, anëtarë të KGVK dhe përfaqësuese të Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK).
Edhe gjatë këtij takimi u diskutua për Ligjin për të Verbërit, ligj ky i cili ka hyrë në fuqi në vitin 2012, neni i 13-të i të cilit thotë: “Personat e verbër dhe shoqëruesit e tyre gjatë shoqërimit të personit të verbër, gëzojnë beneficione në pagesa, në trafikun urban falas, ndërsa në ndërurban bëhet me pagesën pesëdhjetë përqind (50%) të vlerës së biletës”.
Halil Kurmishi, jurist, gjatë takimit foli më shumë për mos zbatimin e ligjit dhe ndryshimet të cilat duhet bërë. Gjatë takimit poashtu u bënë edhe disa rekomandime.
Grupi i Grave Deputete premtuan që këtë çështje do ta ngrisin në nivel qeveritar dhe që në shtator do të organizojnë një takim me të gjithë akterët relevant, ku do të mund të bëhet koordinimi i të gjitha institucioneve për të punuar drejt eleminimit të të gjitha mangësive që rrjedhin nga mungesa e zbatimit të këtij ligji.
Kjo iniciativë mbështetet nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) i RrGGK-së me shumën 2,750€. FGK financohet nga Austrian Development Agency (ADA) dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.