Guxim mbi frikën: Të rinjtë në Drenas mësojnë të ngrejnë zërin dhe të veprojnë kundër ngacmimeve dhe sulmeve seksuale

Heshtja që dikur mbizotëronte nëpër klasat e Drenasit po i linte vendin zërave të sinqertë, fillimisht të pasigurt, por që me kohë bëheshin gjithnjë e më të fortë. Nëpërmjet një nisme që përfshinte sesione ndërgjegjësuese, diskutime të hapura dhe punëtori interaktive në shkolla, të rinjtë filluan të flasin për diçka që për shumë kohë ishte mbajtur e fshehtë: ngacmimet dhe sulmet seksuale. Për një kohë të gjatë, komentet e pakëndshme, prekjet e padëshiruara dhe presionet e fshehta ishin lënë mënjanë si diçka “normale”, duke i lënë nxënësit të pasigurt se çfarë ishte e pranueshme dhe çfarë jo.

Për më shumë se pesë muaj, iniciativa e Humanus Vita arriti të përfshijë 672 nxënës, nga të cilët 432 vajza dhe 239 djem, në 24 sesione në shkollat e Drenasit, Llapushnikut dhe Nekocit. Përmes diskutimeve interaktive dhe aktiviteteve mësimore, nxënësit mësuan se çfarë do të thotë me të vërtetë ngacmimi seksual, si ndikon në jetën e njerëzve dhe pse është e rëndësishme të flasësh për të.

“Unë nuk e dija që ngacmimi seksual është krim,” pontencoi një nxënës. “As që ka vende ku mund ta raportoj në mënyrë të sigurt.”

Ky realizim i thjeshtë kishte një peshë të madhe. Sipas Profilit të fundit Kombëtar për Çështjet e Gjinisë në Kosovë nga UN Women (2024), rreth 29% e grave kosovare kanë përjetuar ngacmim seksual gjatë jetës së tyre. Megjithatë, ndërgjegjësimi dhe raportimi mbetet shumë i ulët; një studim i mëparshëm i OSBE-së (2019) tregoi se vetëm 1% e grave që përjetojnë dhunë e raportojnë menjëherë. Këto shifra tregojnë pse ndërgjegjësimi i hershëm është kaq i rëndësishëm, ndërkohë që para iniciativës, shumica e të rinjve në Drenas nuk e dinin se cilat janë të drejtat e tyre ose ku mund të kërkonin ndihmë.

Humanus Vita shkoi përtej shkollave, duke arritur më thellë brenda komunitetit. Në zonat rurale si Krajkova dhe Paklek i Ri, 70 gra morën pjesë në sesione të veçanta që kombinonin tregime personale me diskutime të strukturuara mbi të drejtat ligjore, definicionet e ngacmimeve dhe raportimin e hershëm. Ndërkohë, punëtoritë në shkollat lokale vunë re se tema si puberteti, identiteti seksual dhe prekjet e padëshiruara trajtoheshin (shumë rrallë) në mësimet e biologjisë, dhe kjo bashkoi mësuesit, drejtorët dhe nxënësit për të sfiduar stereotipet gjinore dhe tabutë.

Një pjesëmarrës reflektoi: “Na mësonin të heshtnim. Tani e kuptoj që heshtja nuk na mbron, ajo vetëm mbulon ata që shkaktojnë dëm.”

Humanus Vita gjithashtu solli këtë diskutim në syrin e publikut. Përmes radios, televizionit dhe rrjeteve sociale, mbi 30,000 banorë të Drenasit mësuan rreth dhunës me bazë gjinore, si ta raportojnë atë dhe ku të kërkojnë ndihmë. Gjatë 16 Ditëve të Aktivizmit, mesazhe dhe intervista iu kujtuan njerëzve se ndihma ekziston dhe se heshtja mbron vetëm abuzuesin.

Ndikimi ishte i qartë dhe thellësisht i ndjerë. Nxënësit filluan të njohin ngacmimet, të kuptojnë efektet e tyre dhe të shohin se si heshtja dhe stereotipet lejojnë që dëmi të vazhdojë. Mësuesit, psikologët dhe drejtuesit e shkollave u bënë aleatë aktivë, duke udhëhequr diskutime mbi respektin, empatinë dhe barazinë. Shkollat janë tani më të përgatitura, dhe institucionet lokale kuptojnë rolin e tyre në mbrojtjen e të rinjve.

Sa i përket efekteve, ato janë tashmë të dukshme. Nxënësit vënë re sjellje që më parë i injoronin dhe ndihen të fuqizuar për të kërkuar ndihmë. Bashkëpunimi me autoritetet lokale, përfshirë shërbimet sociale dhe policinë, është forcuar, duke siguruar që ngacmimet dhe dhuna të trajtohen shpejt. Ngadalë, një kulturë e heshtjes po zëvendësohet nga një kulturë guximi, një zë i vetëm në një kohë.

Nisma e Humanus Vita “Ndërgjegjësimi i të rinjve për ngacmimet dhe sulmet seksuale dhe rëndësia e raportimit të hershëm” u realizua me mbështetjen e Fondit të Grave të Kosovës (FGK), i Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe bashkëfinancuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida), në shumën prej 4,754€, nga tetor 2021 deri në shkurt 2022. Kjo nismë kontribuoi drejtpërdrejt në programin e RrGK-së “Edukimi që transformon nomrat gjinore”.