Depresioni pas lindjes shfaqet me ndjenjë të fortë plogështie që disa gra e përjetojnë pas lindjes së foshnjës. Ky lloj depresioni pasqyrohet në atë mënyrë që nënat humbasin interesin për fëmijën, familjen dhe shoqërinë. Ato priren të fajësojnë veten, shfaqin vështirësi në krijimin e lidhjes me foshnjën, si dhe nuk kanë vullnet për gjërat të cilat më parë u kanë interesuar.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 20% e grave në vendet e zhvilluara përjetojnë depresion pas lindjes. Po ashtu, sipas American Psychological Association, një në shtatë gra përjeton këtë depresion.
Handikos Mitrovica pati mundësinë që të ofrojë seanca këshilluese për 47 nëna dhe fëmijë dhe aftësi të kufizuara, falë nismës “Depresioni te nënat e fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe te personat me aftësi të kufizuara”, të mbështetur nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK).
“Që kur kam filluar kontaktet me organizatën Handikos Mitrovica dhe kam marrë pjesë në seancat dhe takimet e organizuara nga kjo organizatë kam marrë shumë ndihmë, ndonjëherë kur nuk jam në gjendje të mirë emocionale, mirëpo nuk mundem të vij këtu, mundohen të kujtoj se çka na kanë këshilluar që ta qetësoj veten”.
Këto janë ndjenjat që një nënë që ka fëmijën me aftësi të kufizuara i ka shprehur në seancën grupore të organizuar nga “Handikos Mitrovica”, në dhjetor të vitit 2018.
Xhevahire Balaj, psikologe nga Diakone Kosova, ka vënë theksin te fakti që depresioni pas lindjes shkaktohet nga ndryshimet hormonale nga procesi i lindjes. Depresioni mund të përkeqësohet edhe më shumë në rast se foshnja e sapolindur është me aftësi të kufizuara.
“Nënat e lënë veten anash,duke dhënë gjithçka për fëmijën e tyre ato nganjëherë e shohin atë fëmijë si qendër të çdo gjëje”, u shpreh një grua e pranishme.
Nënat e fëmijëve me aftësi të kufizuara përfituan direkt nga kjo nismë. Përgjatë kësaj nisme katër mujore, u diskutuan temat si në vijim: depresioni pas lindjes- shenjat dhe shfaqja e tij, identifikimi dhe shprehja e emocioneve, krijimi i një qasje pozitive për përballim me stresin, ngjallja e përvojave të mira jetësore dhe teknika të relaksimit.
Pjesëmarrëset shprehën falënderimin e tyre për këtë nismë, e cila u ndërmorrë për herë të parë në Komunën e Mitrovicës.
“Nënat dhe fëmijët u trajnuan për t’i kuptuar dhe përballuar më mirë çështjet si simptomat dhe sjelljet e depresionit, ballafaqimin dhe luftimin e stresit, si dhe jetën pas lindjes së fëmijës me nevoja të veçanta”, tha Drejtorja Ekzekutive e Hanikos Mitrovica, Myrvete Hasani.
Nga kjo nismë ka dalur rekomandimi si vijon:
- Të krijohen këshillimore në institucione shëndetësore, përkatësisht në repartet e Gjinekologjisë ku nënat e fëmijëve me aftësi të kufizuara do të kenë mundësi për këshillim dhe përkrahje nga psikologu/punëtori social.
Ky rekomandim do të dërgohet në institucionet relevante, lokale dhe ato qendore. Me qëllim që të avokohet për hapjen e këshillimoreve në institucionet shëndetësore Hasani ka mbajtur disa takime me përfaqësues të Komunës së Mitrovicës.