Organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Handikos në Mitrovicë, më 19 gusht ka publikuar raportin “Sfidat e grave dhe vajzave me aftësi të kufizuara përgjatë COVID-19 në komunën e Mitrovicës”.
Disa prej problemeve që u përmendën në gjetjet e këtij publikimi ishin dhuna fizike dhe psiqike në të cilën kanë hasur gratë dhe vajzat me aftësi të kufizuara gjatë pandemisë; problemet në marrjen e shërbimeve sociale në institucione publike për shkak të mungesës së qasjes e përkeqësimi i mëtejshëm i situatës së grave me aftësi të kufizuara në punësim.
Në një nga të gjeturat e hulumtimit në të cilin kanë marrë pjesë 65 persona, thuhet se për të pranuar shërbimet sociale, familjarët janë detyruar që t’i bartin familjarët me aftësi të kufizuara deri në katin e tretë. Objekti nuk ka ashensor.
Pas shpalosjes së të gjeturave të hulumtimit nga Handikos në Mitrovicë, Arbër Berisha nga Zyra e Avokatit të Popullit dhe Gani Berisha drejtor për Punë Sociale në komunën e Mitrovicës, pranuan se zyrat e tyre janë të paarritshme për personat me aftësi të kufizuara. Andaj të dy institucionet në takim pranuan të shtyjnë përpara idenë që njëra nga zyrat e katit përdhesë të shërbejë për të dëgjuar ankesat si dhe të pranojnë kërkesat e personave me aftësi të kufizuara, të paktën derisa objekti të pajiset me ashensor.
Sipas këtij raporti, mësimi gjatë pandemisë COVID-19 nuk ishte i përshtatur për llojet e ndryshme të aftësive të kufizuara.
“Gjithashtu në rajonin e Mitrovicës ekziston nevoja për funksionimin e Ekipit Vlerësues Pedagogjik dhe hartimin e planeve individuale arsimore të fëmijëve me aftësi të kufizuara në koordinim me DKA-në, QPS-në, shkollat dhe prindërit”, thuhet në raport.
Drejtoresha e “Handikos” në Mitrovicë, Myrvete Hasani tha se përfaqësues nga Drejtoria e Integrimeve Evropiane dhe Mirëqenies Sociale dhe nga Drejtoria e Shëndetësisë, nuk morën pjesë në ngarje me gjithë konfirmimin. Sidoqoftë ajo tha se këto drejtori do të mbahen të informuara për problemet dhe sfidat e personave me aftësi të kufizuara.
Hasani tha se gjatë hulumimit kanë vënë re se gratë dhe vajzat me aftësi të kufizuara nuk kanë mundur të bëjnë kontrolle gjinekologjike të rregullta për shkak të kushteve joadekuate.
“Nuk ka shtrat ku ato mund ta kryejnë atë kontrollë dhe gjatë pandemisë ato kanë pasur edhe mungesë të mjeteve higjienike. Ne jemi munduar t’i ndihmojmë sadopak por ne nuk kemi mundësi. Kështu që, besoj që përmes këtij hulumtimi ne kemi për të luftuar që sadopak të përmirësohen kushtet për këto gra dhe vajza,” tha Hyseni.
Anëtarja e Handikos në MItrovicë, Leonita Sadiku, tha se raporti shpalos problemet që kanë kaluar gratë dhe vajzat gjatë periudhës së izolimit si pasojë e pandemisë. Ajo bën thirrje që të ketë ndihmë konkrete dhe jo vetëm premtime për personat me aftësi të kufizuar.
“Unë shumë kam lobuar dhe shumë jam munduar që të jetë gjithmonë e më mirë dhe të mos ketë barriera. Mirëpo, jam duke e parë që është shumë vështirë. Lobo, lobo, lobo dhe në fund merr shumë pak”, u shpreh Sadiku, e cila megjithëse është juriste, nuk po arrin të punësohet.
“Brenda këtij muaji kam aplikuar ndoshta në 15 vende dhe çka është edhe më e dhimbshme as edhe një përgjigje nuk e kam marrë. Të paktën një përgjigje që nuk jam përzgjedhur apo diçka, por në asnjë intervistë nuk më kanë thirrur,” tregon Sadiku.
Ku hulumtim ka përfshirë metoda të ndryshme në mesin e të cilave ishin 50 intervista ballë për ballë me gra dhe vajza me aftësi të kufizuara; 4 grupe fokusi me gra dhe vajza me aftësi të kufizuara; realizimi i takimeve me 8 institucione përkatëse në komunën e Mitrovicës dhe vëzhgimin e pjesmarrësve.
Handikos në Mitrovicë është përkrahur në kuadër të raundit të 17 të Fondit të Grave të Kosovës (FGK) me mbështetjen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë përmes nismës së RrGK “Ngritja e kapaciteteve dhe qëndrueshmërisë së OShC-ve: Avancimi i barazisë gjinore në mes të pandemisë COVID-19”.