Handikos Suharekë: Për një shoqëri që përfshin çdo aftësi 

Përmes shërbimeve, avokimit dhe punës së drejtpërdrejtë me familjet, Handikos Suharekë angazhohet që personat me aftësi të kufizuara të jetojnë me dinjitet dhe të marrin pjesë në mënyrë të barabartë në shoqëri. 

Handikos Suharekë e nisi punën në vitin 2000 si nëndegë e Handikos Prishtinës, ndërsa në vitin 2014 u regjistrua si organizatë joqeveritare më vete. Që nga fillimi, ajo angazhohet për fuqizimin e personave me aftësi të kufizuara dhe krijimin e mundësive për përfshirjen e tyre në arsim, punësim, jetën kulturore dhe proceset që ndikojnë në mirëqenien e tyre. 

Përmes trajnimeve, avokimit dhe ndërgjegjësimit, Handikos Suharekë bashkëpunon me personat me aftësi të kufizuara, familjet e tyre, institucionet dhe komunitetin. Organizata angazhohet për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, me vëmendje të veçantë edhe ndaj të drejtave të grave dhe fëmijëve. 

Handikos Suharekë ka rreth 640 persona të anëtarësuar. Puna e përditshme mbështetet nga një ekip prej tetë punonjësish, të cilët kanë përvojë shumëvjeçare në ofrimin e shërbimeve dhe mbështetjen e personave me aftësi të kufizuara. 

Shërbimet e Handikos Suharekë përfshijnë mbështetje psikologjike dhe psikosociale, fizioterapi, ergoterapi, logopedi, shpërndarje të pajisjeve ndihmëse dhe transport për fëmijët. Mbështetja përshtatet sipas nevojave individuale të përfituesve dhe synon zhvillimin e aftësive, rritjen e pavarësisë dhe përmirësimin e mirëqenies së tyre. 

Një pjesë e rëndësishme e punës së organizatës është intervenimi i hershëm për fëmijët nga lindja deri në moshën gjashtëvjeçare. Përmes mbështetjes profesionale dhe bashkëpunimit me familjet, Handikos Suharekë synon që nevojat zhvillimore të fëmijëve të identifikohen dhe të adresohen sa më herët. 

Organizata ofron gjithashtu shërbime shëndetësore, rezidenciale dhe familjare për personat me aftësi të kufizuara. Përmes këshillimit dhe mbështetjes individuale e grupore, ajo përfshin edhe familjet dhe kujdestarët, të cilët kanë rol thelbësor në mirëqenien dhe zhvillimin e fëmijëve dhe të rriturve. 

Krahas shërbimeve profesionale, Handikos Suharekë organizon aktivitete sportive dhe kulturore. Këto aktivitete krijojnë mundësi për socializim, zhvillim të talenteve dhe pjesëmarrje më të madhe në komunitet, duke sfiduar paragjykimet dhe izolimin me të cilat vazhdojnë të përballen personat me aftësi të kufizuara. 

“Për shkak të punës sonë, familjet po i nxjerrin fëmijët nga shtëpia dhe po i përfshijnë në aktivitete. Kur dalim në shëtitje, gëzohen shumë fëmijët, por edhe nënat, të cilat po ashtu kanë nevojë për mbështetje”, tha Gashi. 

Avokimi mbetet pjesë thelbësore e punës së organizatës. Handikos Suharekë ngre zërin për përmirësimin e qasjes në infrastrukturë dhe shërbime publike, përfshirjen në arsim dhe krijimin e mundësive për punësim. Organizata kërkon gjithashtu mbështetje më të qëndrueshme institucionale për vazhdimin dhe përmirësimin e shërbimeve. 

“Edhe pse mbështetja financiare nuk është në nivelin që na nevojitet, kemi fatin të jetojmë në një qytet me njerëz jashtëzakonisht solidarë. Falë një donatori privat, objekti ynë u rindërtua dhe u pajis plotësisht, ndërsa kemi bashkëpunim shumë të mirë edhe me Komunën, brenda kapaciteteve të saj”, tha Gashi. 

Puna me gratë dhe vajzat me aftësi të kufizuara është veçanërisht e rëndësishme, pasi ato mund të përballen njëkohësisht me barriera të lidhura me gjininë dhe aftësinë e kufizuar. Përmes aktiviteteve dhe avokimit, Handikos Suharekë synon që nevojat dhe përvojat e tyre të përfshihen në shërbime dhe procese vendimmarrëse. 

Gjatë takimit me Suzana Gashin nga Handikos Suharekë, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) diskutoi për punën dhe rezultatet e organizatës, shërbimet që ofron, barrierat me të cilat përballen personat me aftësi të kufizuara dhe mundësitë për vazhdimin e bashkëpunimit. 

Anëtare e RrGK-së që nga viti 2023, Handikos Suharekë ka shkëmbyer përvoja me organizatat e tjera anëtare dhe ka kontribuar në nisma të përbashkëta për avancimin e të drejtave të grave dhe përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara. 

RrGK do të vazhdojë bashkëpunimin me Handikos Suharekë dhe organizatat e tjera anëtare, duke mbështetur përpjekjet e tyre për një shoqëri gjithëpërfshirëse, në të cilën personat me aftësi të kufizuara mund t’i realizojnë plotësisht të drejtat dhe potencialin e tyre. 

Më shumë rreth punës dhe aktiviteteve të Handikos Suharekë mund të mësoni në faqen e saj në Facebook.