Gjatë vitit 2016, Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) dhe Komuna e Hanit të Elezit do të bashkëpunojnë drejt integrimit të Buxhetimit të Përgjegjshëm Gjinor (BPGJ) në këtë komunë.
BPGJ është integrimi i perspektivës gjinore në buxhet. Përmes integrimit të BPGJ-së mund të shihet nëse buxheti i shtetit është duke u shpenzuar në mënyrë të përgjegjshme gjinore; nëse gratë dhe burrat përfitojnë sa duhet prej secilës kategori ekonomike dhe linjë buxhetore; dhe nëse nevojat dhe prioritetet e grave dhe burrave adresohen përmes buxhetit shtetëror. Andaj, prej vitit 2015, përmes Ligjit për Barazi Gjinore 05/L-020, BPGJ është bërë obligim ligjor për të gjitha organizatat buxhetore në Kosovë. Megjithatë, ende mungon ekspertiza dhe përvoja për ta integruar atë në dokumente dhe procese buxhetore.
Për këtë arsye, RrGGK çdo vit merr përsipër të mbështesë një komunë gjatë gjithë vitit buxhetor. Kjo mbështetje vjen në formë të trajnimeve, mentorimit dhe ndihmës gjatë përgatitjes së dokumenteve buxhetore.
Hani i Elezit është komuna e tretë me të cilën RrGGK do të bashkëpunojë, pas Kamenicës dhe Gjakovës. Për këtë u dakorduan sot, me 9 mars, zn. Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive e RrGGK dhe z. Refki Suma, Kryetar i Komunës së Hanit të Elezit.
Ndihma që RrGGK u ofron komunave lidhur me BPGJ-në mbështet nga Austrian Development Agency (ADA).