Organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Humanus Vita me sukses përmbyll nismën përfituese nga rundi i 15 i Fondit të Grave të Kosovës (FGK) “Vetëdijesimi i të rinjve për ngacmimet dhe sulmet seksuale si dhe rëndësia e raportimit të hershëm”.
Nga 1 tetor 2021 deri me 28 shkurt 2022, gjatë pesë muajve, Humanus Vita mbajti sesione informuese me nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të komunës së Drenasit dhe fshatrave Nekoc dhe Llapushnik. Gjithësej, 720 nxënës u informuan lidhur me dhunën në baza gjinore përfshirë ngacmimin seksual në shkolla.
Korniza Ligjore vendore dhe ndërkombëtare; Sfidimi i stereotipeve gjinor; Si ndikon dhuna seksuale dhe ngacmimi seksual tek të rinjtë; Shkaqet e raportimit të ultë; ishin disa nga temat e shtjelluara gjatë këtyre sesioneve.
Numri i përfituesve indirekt (rritje e vetëdijësimit dhe ndarje e informatave) ka qenë dukshëm i madh, duke marrë parasysh se realizimi i saj u shoqërua me disa paraqitje televizive.
Sesionet e para u mbajtën më 21 tetor në Shkollën e Mesme Teknike “Fehmi Lladrovci” në Drenas, ku u diskutua me nxënësit rreth perceptimit të tyre për ngacmimet dhe ngacmimet seksuale.
Trajnerja Valentina Bejtullahu, shpjegoi konceptet e dhunës me bazë gjinore dhe ngacmimit seksual, si dhe njoftoi nxënësit pjesëmarrës me kornizën ligjore vendore dhe ndërkombëtare që rregullon këtë problematikë. Vëmendje e veçantë iu kushtua luftimit të stereotipave gjinore, të cilësuar si disa nga shkaktarët më të shpeshtë të ngacmimeve seksuale.
“Po të mos kishte stereotipa gjinorë nga shoqëria e mediat, edhe ngacmimet do të ishin më të vogla. Andaj, të rinjtë duhet t’u shmangen përgjithësimeve, të jenë mendjehapur, dhe luftën për barazi ta bëjnë pjesë të përditshmërisë së tyre”, shtoi ajo.
Humannus Vita, gjithashtu mbajti edhe dy sesione informuese për 30 gra nga komuniteti dhe viset rurale. Tema e dhunës në baza gjinore dhe ngacmimin seksual ishte tema kryesore që u diskutua në këto sesione të mbajtura në fshatin Krajkovë, në shkolla si dhe në Komunën e Drenasit në shtëpitë e komunitetit.
Kjo nismë e organizatës “Humanus Vita” është mbështetur nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA), përmes nismës së RrGK-së “Avancimi i Mëtejshëm i të Drejtave të Grave në Kosovë II”, bashkë-financuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida), përmes Ambasadës së Suedisë në Prishtinë.