“Kur më futnin në burg, ia krisja këngës”. Ishte kjo Hyrie Hana, e cila jetën e kaloi mes teatrit e burgut.
Një grua e fortë, aktiviste e pandalshme, një yll ndriçues i forcës dhe rezistencës së gruas shqiptare. Jeta e saj ishte mes teatrit e burgut. E përndjekur ndër vite nga UDB-a serbe, për shkak të bindjeve ideologjike të saj, Hyrija u shua pa patur mundësinë të shkëlqente. Ajo njihet si një dhimbje e Teatrit të Kosovës.
Kishte filluar punën si aktore në vitin 1948 që me krijimin e trupës së Teatrit dhe deri në vitin 1957 kur edhe u shkëput prej saj. Gjatë këtij rrugëtimi të vështirë mes realitetit dhe sikurit magjik, Hyria realizoi dhjetë role në teatër. Ajo kujtohet mes profesionit e sakrificës të regjimit të asaj kohe. Ajo vetë thoshte se “Jeta ime ka qenë e shkapërderdhur, teatër-burg, burg-teatër. Erdhi një kohë kur nuk e dija a po luaja rol në burg a në skenë”, ka thënë Hyrie Hana.
Hyria dhe familja e saj u përndjeken nga UBD-ja serbe ndër vite, për shkak të bindjeve ideologjike të tyre. Asaj ja ekzekutuan edhe të vetmin vëlla që kishte, Xheladin Hana, e që i la të jetojnë me dhimbje e vuajtje gjithë jetën.
Koleget e saj e kujtojnë si një ndër gratë e rralla të guximshme, që kishte përballuar edhe burgun edhe gjitha tragjeditë që i kishin ndodhur në familje.
Aktorja Safete Rogova, tha se “Hyrie Hana ishte njëra ndër aktoret e para bashkë me Meribane Shalën, Katerina Josipin, që shkelen skenën, prej kur u themelua Teatri Krahinor në Prishtinë.
“Që nga provat e para, Hyria mori një rol të madh. Kur u afrua premiera, Hyries ia ndaluan që të dalë në skenë, dhe shfaqja dështoi, kjo pasi UDB -ja e thërret dhe nuk e la të marrë pjesë në premierën e shfaqjes, duke e burgosur”, ka thënë Rogova në një dokumentar televiziv për jetën e Hyrije Hanës.
Hana,nuk u dorëzua, e provoi fatin e saj në teatrin e Mitrovicës, Gjakovës, Shkupit, por edhe atje e përndjeku regjimi serb dhe nuk e la të ishte e lirë në skenë.
Hyria ishte edhe spikerja e parë e radios së parë në Prizren në vitin 1945, dhe më pas punoi edhe në Radio Prishtinë në vitin 1946.
Hyria mbetet në qiellin e kujtesës jo vetëm skenike, por asaj njerëzore, si një yll ndriçues i forcës dhe rezistencës së gruas shqiptare.
Hyrie Hana lindi në vitin 1929 dhe ndërroi jetë në vitin 2004.