Më 30 mars 2026, drejtoresha ekzekutive e RrGK-së, Igballe “Igo” Rogova, u dekorua me Medaljen Presidenciale të Meritave nga presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, për “angazhimin e jashtëzakonshëm, guximin dhe përkushtimin e palodhur në avancimin e të drejtave të grave dhe të drejtave të njeriut.”
Igo Rogova bashkëthemeloi organizatën e parë të grave në Kosovë “Motrat Qiriazi”, të cilën më vonë e drejtoi. Kjo organizatë u fokusua në arsimimin dhe fuqizimin e grave dhe vajzave në tërë Kosovën, duke u ofruar më shumë se 6,000 grave mundësinë për arsim në një kohë kur mësimi në gjuhën shqipe ishte i ndaluar. Igo gjithashtu mbështeti iniciativa lokale, duke kontribuar në zhvillimin e komuniteteve edhe në kushte varfërie dhe mungese investimesh.
Gjatë kohës si refugjate, Igo punoi në kampet e refugjatëve në Maqedoninë e Veriut, duke ndihmuar dhe mbrojtur gratë dhe vajzat përmes qasjeve inovative që përfshinin edukimin shëndetësor, terapinë dhe mënyra të tjera për të adresuar nevojat e grave refugjate kosovare në kampet maqedonase.
Për të mbështetur aktivistet që punonin në kushte të vështira, Igo themeloi Rrjetin e Grave Rurale, i cili më vonë shërbeu si bazë për themelimin e RrGK-së. Sot, organizata përfshin mbi 100 grupe të shoqërisë civile që mbrojnë dhe promovojnë të drejtat e grave kosovare, pa marrë parasysh bindjet politike, fenë, moshën, nivelin e arsimimit, orientimin seksual apo aftësitë e tyre. Falë udhëheqjes së saj të palodhur, RrGK ka punuar për të mbrojtur, avancuar dhe përmirësuar jetën e grave dhe vajzave, duke fuqizuar gratë për të marrë pjesë në politikë, krijuar kornizën ligjore për adresimin e dhunës me bazë gjinore, hartuar politika që mbështesin viktimat dhe njohin statusin e mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës, përmirësuar shumë ligje dhe politika për barazinë gjinore, fuqizuar ekonomikisht qindra gra dhe përmirësuar qasjen e grave në shërbimet shëndetësore. RrGK mbetet një shembull unik i bashkëpunimit dhe ndryshimit transformues në rajon.
Igo ishte një nga avokueset e parat për zbatimin e Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (RKSKB) për gratë, paqen dhe sigurinë në Kosovë. Ajo insistonte fuqishëm që gratë nga grupe dhe profile të ndryshme të përfshiheshin në proceset e paqes dhe pajtimit menjëherë pas miratimit të Rezolutës 1325. Ajo sfidoi misionet e OKB-së dhe iniciativat e zhvillimit kur ato nuk siguruan përfshirjen e zërave të grave, si dhe dokumentoi dhe ndau historitë e grave kosovare me zyrtarë të lartë dhe aktiviste të të drejtave të grave në vende të tjera, duke ndihmuar që përvoja e Kosovës të shërbente si model për të tjerët.
Igo gjithashtu luajti rol kyç në themelimin e Koalicionit të Grave për Paqe, i cili i bëri bashkë aktivistet e paqes nga Kosova dhe Serbia dhe ndihmoi në krijimin e Lobit Rajonal të Grave për Paqe, Siguri dhe Drejtësi në Evropën Juglindore. Të dy këto grupe kanë arritur me sukses të sjellin zërat dhe prioritetet e grave nga rajoni në proceset e negociatave Kosovë-Serbi dhe në iniciativat e ndërtimit të paqes.
Gjatë viteve 2014-2015, Igo ishte anëtare e Grupit Këshillues të Nivelit të Lartë për Studimin Global të OKB-së lidhur me Rezolutën 1325. Ajo ka shërbyer dy herë dhe vazhdon të jetë pjesë e Panelit Këshillues të Shoqërisë Civile të NATO-s për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, duke avancuar më tej zbatimin e RKSKB 1325 në nivel global.
