Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) në bashkëpunim me RrGK-në me datë 17 mars përmes një konference për media kanë publikuar gjetjet e hulumtimit të rastit të vrasjes së Sebahate Morinës “Shteti me mos veprim, privon nga jeta Sebahate Morinën”.
Me këtë rast, Adelina Berisha, Menaxhere e Programit mbi Dhunën në Baza Gjinore, RrGK, tha se tashmë me vite gratë po e raportojnë dhunën, por institucionet përkatëse po refuzojnë të ofrojnë mbështetje, gjë e cila po rezulton edhe me raste me fatalitet.
“Institucionet e drejtësisë duhet ta parandalojnë dhunën ndaj grave, e në rastet kur ajo ndodhë nuk duhet assesi ta tolerojnë. Do të kërkojmë shkarkimin e prokurorëve që po dështojnë në përmbushjen e obligimeve të punës së yre”, theksoi ajo.
Kurse, Ehat Miftaraj, IKD tha se me kushtetutë e drejta për jetë është elementare dhe duhet të garantohet nga shteti, teksa po ashtu ka kujtuar që Kosova ka miratuar Konventën e Stambollit për trajtimin e dhunës në familje, kurse në këtë rast ka dështuar ta zbatojë.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dështuar të ushtrojë kompetencat e saj për t’i ofruar mbrojtje Sebahate Morinës. Kjo prokurori dje në mënyrë amatoreske u mundua t’i ikë përgjegjësisë dhe të gënjejë publikisht që ka marrë të gjitha hapat për mbrojtje”, tha Miftaraj.
Ai shtoi se Morina ishte viktimë e dyfshitë- e ish-burrit të saj dhe e shtetit.
Ky hulumtim ndër të tjerash argumenton në detaje shkeljen e së drejtës për jetë nga ana e shtetit ndaj Sebahate Morinës përmes mos veprimit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Si rrjedhojë, IKD dhe RrGK kërkojnë nga KPK dhe Kryeprokurori i Shtetit:
- Të formojë një grup punues për të hartuar një raport lidhur me shkeljet dhe veprimet e ndërmarra lidhur me këtë rast, me ç’rast ky grup punues duhet të ketë qasje në të gjitha shkresat e lëndës, në mënyrë që ta zbardhë këtë rast në tërësi. Ky grup punues duhet të përbehet prej pesë (5) përfaqësuesve: Një (1) prokuror (jo nga Prokuroria Themelore në Prishtinë), një (1) mbrojtës i viktimave, një (1) familjar apo përfaqësues i familjes së viktimës dhe dy (2) përfaqësues të shoqërisë civile.
- Në mënyrë që këto raste të mos përsëriten, të formojë një (1) grup punues me ekspertë të fushës për të shqyrtuar Procedurat Standarde të Veprimit në secilën Prokurori Themelore lidhur me procedurën e pranimit, trajtimit dhe ofrimit të ndihmës për viktimat e dhunës në familje.
Ndiqni KËTU konferencën e plotë, kurse KËTU mund ta gjeni raportin e plotë “Shteti me mos veprim, privon nga jeta Sebahate Morinën”.
LEXO EDHE: RrGK: Shteti të parandalojë vrasjet e grave