Organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) ka realizuar nismën ‘Përmirësimi i pjesëmarrjes së grave në politikë dhe proceset vendimmarrëse drejt fuqizimit ekonomik të grave’ e përkrahur nga raundi i 15- të i Fondit të Grave të Kosovës.
Projekti është realizuar me sukses duke ndikuar pozitivisht në ngritje të vetëdijes dhe interesit për kyçje të grave në politikë dhe në vendimmarrje si dhe në mbështetje të grave në të gjitha fushat me interes për këto gra.
Nga ky projekt kanë përfituar 120 gra. Tek grupi përfitues ishin gratë e papunësuara, gratë e punësuara dhe gratë sipërmarrëse, ku janë identifikuar probleme me të cilat ballafaqohen këto kategori të grave dhe është arritur që të jepen këshilla të shumta në aspekt social, psikologjik, juridik dhe menaxhim biznesi e punësim.
Besmire Aliu, drejtore ekzekutive e organizatës In Time, përgjatë zbatimit të projektit, në njërin nga takimet, ka prezantuar të gjeturat e një hulumtimi të brendshëm të organizatës lidhur me vendimmarrjen e grave dhe pjesëmarrjen e tyre në konsultime publike.
Sipas rezultateve pjesëmarrja e grave në konsultime publike ishte shumë e ulët, por gratë kanë treguar interesim të marrin pjesë në konsultime publike duke thënë se shumica prej tyre nuk janë aspak të informuara për takime të tilla. Andaj Aliu ka theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së grave sidomos në hartim të politikave.
“Zëri i grave duhet të dëgjohet në hartim të politikave ngase këto politika prekin të gjitha nga ne,” ka thënë ajo.
Ndërkohë është arritur të ngritet vetëdija për rolin dhe rëndësinë që këto gra të jenë pjesë e vendimmarrjes dhe politik- bërjes si në nivel lokal ashtu edhe në nivel qendror.
Ky projekt është financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe është realizuar në periudhën shtator 2021-mars 2022.