Këshilli Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës që udhëhiqet nga Presidentja e Republikës së Kosovës zonja Atifete Jahjaga, mbajti takimin e rradhës të grupit punues për ngritje të vetëdijes dhe ndërgjegjësim. Ky Këshill i krijuar nga vet Presidentja e Republikës së Kosovës me 7 mars 2014 i përgjigjet shqetësimeve dhe çështjeve të ngritura nga gratë që kishin përjetuar dhunë seksuale, me qëllim kryesor t’i shërbej të gjithë të mbijetuarëve të dhunës seksuale pa dallim gjinie, ashtu siç e parasheh edhe ligji Nr. 04/L-054 i nga Kuvendi i Republikës së Kosovës aprovuar me 20 mars 2014. Në këtë takim morrën pjesë anëtarë të Këshillit përfaqësues nga institucionet qeveritare, organizatat joqeveritare, përfshirë edhe RrGGK, si dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe përfaqësive diplomatike në Kosovë, .
Ky takim u mbajt si vazhdimësi e angazhimeve konkrete për përpilimin e strategjisë një vjeçare për fushatën vetëdijesuese e cila do të organizohet në kuadër të aktiviteteve të Këshillit.
Kjo fushatë gjthëpërfshirëse pjesë e së cilës është edhe shfaqja e filmit “Tri dritare dhe një varje” nën regjinë e Isa Qosaj, ka për qëllim luftimin e stigmës ndaj kësaj kategorie të viktimave të luftës si dhe informimin rreth procesit dhe njohjes së verifikimit të dhunës seksuale gjatë luftës.
Lobi për Barazi Gjinore në Kosovë poashtu do të jetë pjesë e kësaj fushate përmes shfaqjes së filmit “Tri dritare dhe një varje” dhe duke organizuar debate për këtë film në të gjitha komunat ku anëtaret e Lobit veprojnë.
Ngritja e vetëdijes u cilësua si një ndër shtyllat kyçe për garantimin e mbështetjes shoqërore dhe institucionale për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës si dhe për mbështetjen e procesit të përmbushjes të së drejtave për këtë kategori të luftës ashtu siç e parasheh Kushtetuta e Republikës së Kosovës.
RrGGK ka qenë shumë aktive në këtë proces, duke qenë edhe pjesë e grupit punues për finalizimin e procedurave të verifikimit, njohjes si dhe organizimit të fushatës për ngritjen e vetëdijes.