Më 15 gusht, Komiteti i Grave të Verbëra të Kosovës (KGVK) organizoi në Prishtinë trajnimin për fuqizimin e grave të verbëra, në kuadër të projektit “Më shumë të drejta për gratë e verbëra’’, ku morën morën pjesë 15 gra, burra dhe fëmijë të verbër nga komuna e Prishtinës, Gjilanit dhe Ferizajt, si dhe përfaqësuese të KGVK-së dhe Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK).
Projekti ka për qëllim avokimin në Ministrinë e Arsimit për krijimin e kushteve më të volitshme për arsimimin e grave si dhe personave të verbër në përgjithësi. KGVK-ja gjithashtu synon që përmes këtij projekti të vetëdijesojë sa më shumë persona të verbër, familjarë të tyre si dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme mbi të drejtat e personave të verbër në edukim.
Drejtoresha e KGVK, Bajramshahe Jetullahu, hapi trajnimin duke theksuar se "Numri i personave të verbër që studiojnë në Universitete në krahasim me vitet e mëparshme është dukshëm në rritje. Mirëpo, sfidë mjaftë të madhe ende paraqet mungesa e literaturës në alfabetin e brajlit duke u shkaktuar ngecje studentëvet dhe si pasojë edhe të ndalin shkollimin e tyre".
Trajneri, Halil Kurmehaj, ndër të tjera njoftoi të pranishmit me Ligjin Nr. 04/L-092 si dhe të drejtat të cilat i garanton ky ligj. "Në Kosovë nuk dihet numri i saktë i personave të verbër, mirëpo mendohet se janë diku rreth 2500 persona të verbër dhe me të pamë të dobësuar. Mos ekzistimi i të dhënave të sakta për numrin e personave të verbër tregon mos-interesimin e institucioneve vendore që të merren me këtë kategori mjaftë të ndjeshme të njerëzve. Për këtë arsye besoj që është obligim i të gjithë neve së bashku ta ngrisim zërin dhe kërkojmë të drejtat të cilat na janë garantuar me ligj".
Personat e verbër kërkuan që të punohet më shumë nga institucionet dhe shoqëria me qëllim që kësaj kategorie ti ofrohet një jetë më e mirë dhe një standard jetësor më i lartë.
"Personat e verbër që nga mëngjesi e deri në fund të ditës përballen me vështirësi të shumta siç është mungesa e trotuareve, e librave me alfabet të brajlit, etj.. Një numër shumë i vogël i personave të verbër janë të punësuar dhe kjo gjithashtu ndikon edhe në gjendej e tyre ekonomiko-sociale" u shpreh njëri nga të pranishmit.
Ky projekt është mbështetur nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) i Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) si dhe është financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.