KGVK – avokon për zbatimin e ligjit për persona të verbër

 Me 15 shtator, Komiteti i Grave të Verbëra të Kosovës (KGVK) mbajti në Prishtinë një tryezë të rrumbullakët në vazhdën e aktiviteteve në kuadër të projektit “Më shumë të drejta për gratë e verbëra”. Tryeza e rrumbullakët bashkë me asambleistet u zhvillua me qëllim të adresimit të kërkesave dhe shqetësimeve të KGVK-së, përfshirë zbatimin e ligjit, trajtim të barabartë, etj, duke i kushtuar rëndësi të veçantë diskutimit për mënyrat e përmirësimit të zbatimit të ligjit për arsimim për gratë e verbëra. KGVK me moton “Ti meriton trajtim të barabartë” shprehu gjithashtu edhe nevojën për përkrahje nga asambleistet, që ato të bëhen zëri i tyre në strukturat e caktuara të adresave qeverisëse. 
     Ndërkaq gjatë takimit, juristi dhe trajneri Halil Kurmehaj tha se, “Ligji për persona të verbër në aspektin ligjor gëzon trajtim të barabartë, po që këto ligje nuk zbatohen në përputhje të drejtpërdrejtë me nevojat e këtyre personave. Pa lënë anash edhe nevojën e tyre për planin e avokimit që i indinjon ata në aspektin arsimor si: Sigurimin e pajisjeve shkollore apo tabelave për nxënës të verbër, ofrimin e alfabetit të Brajlit, gjithashtu edhe punësim në nivelin lokal dhe gjithëpërfshirjen e këtyre personave në shoqëri”. 
     Ndër kërkesat tjera qenë për të pasur edhe një mekanizëm më të avancuar për transportin urban, përkatësisht të vendosjes së akustikëve për fillimin dhe për vend-ndalimin e caktuar, si lehtësim për orientimin e tyre më të mirë hapësinor, duke shtuar këtu edhe lirimin nga pagesa për personat e verbër. Duke diskutuar kështu për shumë probleme me të cilat ballafaqohen përsonat e verbër, Bajramshage Jetullahu, udhëheqëse e KGVK-së tha se, “Shpresojmë që do të punohet më shumë me këtë kategori të shoqërisë me qëllim të integrimit sa më të mirë të tyre në shoqëri, me theks të veçantë në shërbime të transportit publik, edukim dhe punësim”. 
Ky projekt mbështetet nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) i Rrjetit të Grave të Kosovës dhe financohet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.