Javën e dytë të shtatorit përfaqësues të Komitetit për Marrëdhënie Ndërkombëtare të Shtëpisë së Lordëve: Baronesha Coussin, Lord Grocott dhe Baronesha Helic, Roshani Palamakumbura, analist i politikave dhe Kenneth Morrison, këshilltar, qëndruan në Prishtinë dhe Mitrovicë për tu njohur nga afër më gjendjen aktuale në Kosovë. Ndërkaq, me 19 shtator, përfaqësuesit e këtij Komiteti u takuan me drejtoren ekzekutive të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Igballe Rogova, dhe atë të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarëve të Torturës (QKRMT), Feride Rushiti.
Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet dhe sfidat me të cilat kryesisht ballafaqohen organizatat e udhëhequra nga gratë, situatën socio-ekonomike dhe politike në Kosovë. Me theks të veçantë u diskutua për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Rogova dhe Rushiti informuan më gjerësisht të pranishmit për punën dhe avokimin e tyre në procesin e rehabilitimit dhe njohjes së statutit për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
“Me 8 mars 2012 ne publikisht kërkuam mbrojtje ligjore dhe drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale. Sot ne kemi mbrojtje ligjore por duhet të sigurohemi që edhe ata të shohin drejtësinë tashmë të vonuar për ta,” tha Igballe Rogova.