Gjatë këtij viti, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), në bashkëpunim me organizatat partnere, ka punuar në ngritjen e vetëdijes së qytetarëve mbi format e ndryshme të dhunës me bazë gjinore, përfshirë edhe dhunën online.
Ky projekt po zbatohet nga RrGK në partneritet me East West Management Institute, ndërsa fushatat vetëdijësuese realizohen nga: Organizata për Personat me Distrofi Muskulare (OPDMK), Qendra për Përfshirjen e Grave (ZEC), Artpolis, RrOGRAEK dhe Instituti Kosovar për Drejtësi (IKD).
Në kuadër të këtyre nismave, po zhvillohen fushata gjithëpërfshirëse që synojnë informimin dhe fuqizimin e komuniteteve në të gjithë vendin.
Përmes fushatës “Derë më Derë”, e zbatuar nga OPDMK, ZEC dhe RrOGRAEK, janë vizituar 1,637 persona në komunat Prizren, Suharekë, Pejë, Mitrovicë, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Graçanicë dhe Novo Bërdë, përfshirë edhe fshatrat e Hasit, Vërnica dhe Zhupës.
Fushata ka përfshirë edhe persona me aftësi të kufizuara, si dhe anëtarë të komuniteteve rom, ashkali, egjiptian dhe serb, duke treguar një qasje gjithëpërfshirëse dhe të ndjeshme ndaj diversitetit.
Antigona Shestan, drejtoreshë e OPDMK-së, në lidhje me rëndësinë e kësaj fushate u shpreh: “Për dhunën ndaj personave me aftësi të kufizuara, qoftë në shtëpi, në komunitet apo në internet, nuk duhet të heshtet kurrë. Çdo person duhet të ketë guximin ta raportojë çdo formë të dhunës.”
Një grua nga një zonë rurale që mori pjesë në fushatë ndau këtë mesazh prekës: “Në zonat rurale, ku heshtja shpesh dëgjohet më fort se fjalët, ju keni thyer barrierat dhe na keni sjellë mbështetje me vizitën tuaj.”
Fushata shoqërohet edhe me një video vetëdijësuese të përgatitur nga OPDMK, e cila sjell mesazhe të fuqishme për rëndësinë e njohjes dhe raportimit të dhunës me bazë gjinore. Shikoni videon këtu.