Sot, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka publikuar raportin e ri hulumtues “Zero Tolerancë? Monitorimi i Reagimit Institucional ndaj Dhunës me Bazë Gjinore në Kosovë”, i cili ofron një analizë të thelluar të reagimit institucional ndaj dhunës me bazë gjinore në Kosovë, në përputhje me standardet e Konventës së Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje (e njohur si Konventa e Stambollit).
Raporti mbulon periudhën 2021–2024 dhe bazohet në një metodologji gjithëpërfshirëse që përfshin analizë të kornizës ligjore, monitorim të trajtimit të rasteve të dhunës nga institucionet përgjegjëse, intervista me përfaqësues institucionalë, si dhe shqyrtim të të dhënave zyrtare.
Gjetjet tregojnë se Kosova ka bërë përparim të dukshëm në përmirësimin e kornizës ligjore me miratimin e Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna me Bazë Gjinore, si dhe të ligjeve dhe politikave të tjera. Megjithatë, zbatimi i tyre mbetet i pamjaftueshëm dhe shpesh i pakoordinuar. Monitorimi i Rrjetit të Grave të Kosovës (RGK) tregon se deri në fund të vitit 2024, 54% e aktiviteteve të Strategjisë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave janë zbatuar plotësisht, 42% janë zbatuar pjesërisht, ndërsa 5.5% nuk janë zbatuar fare.
Raporti thekson se dhuna digjitale dhe ajo seksuale vazhdojnë të trajtohen në mënyrë të pamjaftueshme. Qëndrimet e dëmshme, si fajësimi i viktimës dhe përpjekjet për të “shpëtuar familjen” përmes pajtimit, vazhdojnë të ndikojnë në mënyrën se si institucionet i trajtojnë rastet. Mungesa e burimeve njerëzore, e trajnimeve të specializuara dhe e koordinimit efektiv ndërinstitucional mbeten sfida kryesore që minojnë sigurinë dhe mirëqenien e viktimave të dhunës.
Raporti ofron rekomandime konkrete për institucionet përgjegjëse, me synim përmirësimin e zbatimit të ligjit, rritjen e buxheteve për shërbimet mbështetëse, forcimin e një qasjeje të përqendruar te viktima dhe ndërtimin e një reagimi institucional të koordinuar dhe efektiv. RrGK u bën thirrje të gjitha institucioneve relevante që të ndërmarrin veprime të menjëhershme dhe të qëndrueshme drejt një qasjeje reale të “tolerancës zero” në adresimin e të gjitha formave të dhunës me bazë gjinore.
Në ngjarjen e lansimit të mbajtur sot, Nermin Mahmuti, Kryetare e Bordit të Rrjetit të Grave të Kosovës (RGK), theksoi se Kosova ka bërë përparime në forcimin e kornizës ligjore për adresimin e dhunës me bazë gjinore. Megjithatë, ajo nënvizoi se sfida kryesore mbetet zbatimi i saj në praktikë. Po ashtu, ajo theksoi rolin kyç të shoqërisë civile si mbrojtëse dhe mbështetëse e vijës së parë për të mbijetuarat e dhunës. Sipas saj, ky rol vazhdon të ushtrohet pavarësisht sfidave të vazhdueshme financiare me të cilat përballen organizatat, veçanërisht në kontekstin e shkurtimeve të fundit të fondeve.
“Grupet më të margjinalizuara, të mbijetuarat e dhunës seksuale, personat LGBTQIA+, gratë me aftësi të kufizuara dhe fëmijët, përballen me barriera shtesë, duke e bërë edhe më të domosdoshëm rolin mbështetës, avokues dhe monitorues të RrGK-së dhe të OShC-ve në përgjithësi”- tha ajo, duke shtuar tutje, nevojën për një mbështetje afatgjatë dhe të qëndrueshme për organizatat e grave.
Në fjalën e saj, Sara Lindblom, Sekretare e Dytë e Ambasadës së Suedisë në Kosovë, theksoi gjithashtu rëndësinë e shoqërisë civile. “Shoqëria civile luan një rol të rëndësishëm sa i përket ndihmës juridike dhe shtyrjes për ndryshime ligjore avokimit dhe monitorimit të performancës së institucioneve dhe përmirësimit të llogaridhënies,” tha ajo. Më tej, ajo shtoi: “Suedia inkurajon fuqishëm Qeverinë e Kosovës që të sigurojë buxhet dhe burime njerëzore të mjaftueshme.”
Institucionet kyçe iu bashkuan Rrjetit të Grave të Kosovës (RGK) në diskutimin e gjetjeve, përfshirë Vlora Limani Hajnuni, Këshilltare Politike në Ministrinë e Drejtësisë, Arjeta Sadiku, Nënkryetare e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Blerim Shabani nga Ministria e Drejtësisë dhe Arton Ahmeti, Sekretar në Ministrinë e Financave. Pjesëmarrësit u pajtuan për rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet shoqërisë civile dhe qeverisë.
“Efektiviteti i plotë [në zbatimin e kornizës ligjore] do të arrihet vetëm përmes bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional në ofrimin e drejtësisë për viktimat dhe në forcimin e mekanizmave mbështetës në nivelin lokal dhe qendror,” tha Arjeta Sadiku, KGJK.
“Puna e përbashkët me RrGK-në, në krijimin e moduleve për punëtorët social, trajnimet që edhe tani jemi duke i bërë bashkë, po na ndihmojnë në procesin e përmirësimit të shërbimeve sociale për viktimat e dhunës ne familje, trafikimit e dhunës seksuale”, tha z. Shabani.
Raporti është realizuar me mbështetje financiare nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe bashkëfinancuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim (Sida).
