Kriza institucionale vazhdon të kontribuojë në diskriminimin ndaj grave 

Më 27 maj, Rrjeti i Grave të Kosovës iu bashkua aksionit simbolik të shoqërisë civile përballë Kuvendit të Republikës së Kosovës, në një ditë që shënoi dështimin e 22-të me radhë për konstituimin e tij. 120 karrige të zbrazëta, të rreshtuara para hyrjes së institucioneve më të larta përfaqësuese të vendit, nuk ishin vetëm simbol i mungesës së deputetëve në ulëset e tyre – ato ishin pasqyrim i boshllëkut që krijohet në jetën e përditshme të grave dhe vajzave për çdo ditë që Kuvendi nuk funksionon. 

Secila karrige mbante një mesazh: një thirrje për përgjegjësi, për bashkëpunim politik dhe për veprim të menjëhershëm.  

Mes këtyre mesazheve ishte edhe ai i grave të Kosovës – një zë që prej vitesh kërkon miratimin e ligjeve kyçe që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e tyre: ligji i punës, kodi civil, ligji për financat publike, e shumë të tjera. Këto nuk janë thjesht tekste juridike të mbetura në sirtar – janë peng i një sistemi që, përmes mungesës së vullnetit politik, mban peng të drejtat, sigurinë dhe mirëqenien e gjysmës së popullsisë. 

Për Rrjetin e Grave të Kosovës, kjo bllokadë nuk është një krizë momentale – është një simptomë e një realiteti më të thellë, ku interesat politike vendosen mbi jetën dhe të drejtat e qytetarëve, e veçanërisht grave. Për tre muaj me radhë, Kuvendi ka dështuar të përmbushë detyrën e tij më bazike – përfaqësimin. Dhe kur nuk ka përfaqësim, nuk ka as vendimmarrje. Pa vendimmarrje, nuk ka përparim. E në këtë rreth vicioz, gratë janë ato që preken të parat dhe më së shumti – në vendin e punës, në qasje në drejtësi, në sigurimin e shërbimeve publike, në çdo sferë të jetës së përditshme. 

Orët që ishin vendosur në mesin e karrigeve të zbrazëta nuk ishin vetëm një alarm – ishin kujtesë për kohën që po humbim, për mundësitë që po na ikin, për të drejtat që po shtyhen pafund. Ishte një thirrje për ndërgjegjësim, për veprim, për rikthimin e funksionimit demokratik të institucioneve. 

Rrjeti i Grave të Kosovës, bashkë me organizata tjera të shoqërisë civile do të vazhdojë të jetë prezente në çdo aksion, në çdo zë që kërkon llogari, në çdo hap që kërkon barazi. Sepse për ne, çdo karrige e zbrazët nuk është thjesht mungesë fizike – është një vend bosh në tryezën ku vendoset për jetën dhe të ardhmen e grave dhe të gjithë qytetarëve të këtij vendi. 

Organizatat mbështetëse të aksionit ishin këto; Advocacy Training & Resource Center (ATRC) Assist Kosovo, Asociacioni i Mediave të Pavaruara Elektronike të Kosovës (AMPEK), Balkan Green Foundation (BGF), CEL Kosova, Center for Eduction and Community Development-Friends, CIPOF Childproof, Community Building Mitrovica (CBM), Community Development Fund (CDF), Democracy Plus (D+), Demokraci për zhvillim (D4D), Dylberizim, Ekovizioni, Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë, Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar, Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ), Hyjneshat, Iniciativa për Progres (INPO), Iniciativa Qytetare Skenderaj, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Instituti GAP, Instituti i Kosovës për Drejtësi (KLI), Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS), Instituti Kosovar për Hulumtim dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED), Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari”, Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), Instituti Sekhmet, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Kosovo Advocacy & Development Centre K-W4W, Leadership Development Association Europe, Lëvizja FOL, New Social Initiative (NSI), Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë, OJQ “ACCESS”, OJQ “Vision02”, OJQ EC Ma Ndryshe, OJQ Fortesa, OJQ Mundësia, OJQ Politeia, OJQ Zana, OJQ Pishtarët, Organizata Bubble, Organizata ÇOHU!, Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim – ORCA, Qendra Kosova për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (KRCT), Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ), Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), Qendra Kosovare për Zhvillim të Qëndrueshëm – QKZHQ, Qendra për Arsim e Kosovës – KEC, Qendra për Avokim dhe Kulturë Demokratike (ACDC), Qendra për Barazi dhe Drejtësi, Qendra Për Politika dhe Avokim (QPA), Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore – CSGD, QIKA, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), Rrjeti i OJQ-ve AVONET, Rrjeti Qeliza, SHL – Kosova, Syri i Vizionit, The Foundation House (ish-IPKO Foundation), YMCA Movement.