Produktet tradicionale të punuara me dorë nga gratë, përfshirë edhe ato të krijuara nga të mbijetuarat e dhunës seksuale, janë në qendër të vëmendjes këtë vit në Etno Fest, përveç tjerash. Gratë po ua përcjellin brezave të rinj edhe artet edhe zanatet tradicionale, siç është punimi i gobenit duke ndihmuar në ruajtjen dhe në vazhdimin e këtyre traditave.
Në kuadër të Festivalit, ArtPolis, Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave (QPDG) dhe Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT/KRCT), të gjitha organizata anëtare të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), kanë bashkëpunuar për të sjellë në pah aftësitë, traditat dhe krijimtarinë e grave, duke dëshmuar se trashëgimia e tyre mund të shndërrohet edhe në mundësi për fuqizim dhe pavarësi ekonomike.
Drejtorja e QPDG-së, Kadire Tahiraj, me këtë rast theksoi rëndësinë e veprimit të përbashkët për të sjellë ndryshime të qëndrueshme:
“Vetëm si kolektiv, së bashku, mund t’i realizojmë ndryshimet”, tha ajo.
Nga 3 deri më 10 gusht, fshati Kukaj në Prishtinë është bërë një pikëtakim i artit, kulturës, kujtesës dhe rrëfimeve që vazhdojnë të kenë rëndësi për shoqërinë tonë. Me temën qendrore “Kujtesa”, Etno Fest 2026 ka sjellë histori, dëshmi dhe krijimtari që na ftojnë të kthehemi te e kaluara, ta dëgjojmë atë dhe të reflektojmë mbi përgjegjësinë që kemi për të ardhmen.
Më 6 gusht, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT/KRCT) organizoi debatin “Dëshmi, dinjitet dhe shpresë”, duke e vendosur në qendër të diskutimit përvojat dhe dëshmitë e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Në hapësirat e Etno Fest u prezantua edhe ekspozita “Sy më Sy”, e cila sjell rrëfimet e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës dhe të familjarëve të tyre. Përmes këtyre historive personale, ekspozita krijon një hapësirë ku kujtesa nuk mbetet vetëm pjesë e së kaluarës, por bëhet dialog, njohje, respekt dhe përgjegjësi shoqërore.
Të pranishëm ishin të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës, të cilët përmes rrugëtimit të tyre kanë sfiduar heshtjen dhe kanë sjellë dëshmitë e tyre në hapësirën publike.
Dr. Feride Rushiti, Drejtore Ekzekutive e QKRMT-së, së bashku me ekipin e QKRMT-së, ndau me të pranishmit rëndësinë e ruajtjes së këtyre dëshmive dhe të kujtesës së grave dhe burrave që kanë mbijetuar dhunën seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Ekspozita “Sy më Sy”, e realizuar në bashkëpunim me Pro Peace – Kosovo, na kujton se përballja me të kaluarën nuk është vetëm një proces individual. Është përgjegjësi për të mos lejuar që historitë e të mbijetuarve të zbehen apo të harrohen.
Në kuadër të bashkëpunimit mes ArtPolis, Etno Fest dhe QPDG, u zhvillua edhe ekspozita shitëse e grave artizane, ku u prezantuan produkte të punuara nga gratë, përfshirë bizhuteri dhe punime të tjera artizanale.
Një pjesë e këtyre produkteve janë krijuar nga të mbijetuarat e dhunës, duke e kthyer artizanatin në një mundësi për fuqizim ekonomik, pavarësi dhe ndërtim të një jete më të qëndrueshme.
Produktet mund të blihen edhe në Muzeun “Çast” (muzeu i parë për të mbijetuarat e luftës në Kosovë) nga Fondacioni Jahjaga dhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, duke kontribuar drejtpërdrejt në mbështetjen dhe fuqizimin ekonomik të të mbijetuarave.
Kjo frymë bashkëpunimi është pikërisht ajo që e bën pjesëmarrjen e organizatave të RrGK-së në Etno Fest të veçantë: zërat e grave, arti, kujtesa dhe aktivizmi bashkohen në një hapësirë të përbashkët.
Sot, RrGK vizitoi hapësirat ku organizatat anëtare janë duke prezantuar punën e tyre.
Pjesëmarrja e RrGK-së dhe organizatave anëtare në këtë festival është një mundësi për të parë nga afër se si puna e përditshme për të drejtat e grave, drejtësinë dhe fuqizimin e tyre mund të marrë forma të ndryshme: përmes artit, dëshmive, dialogut, punës me komunitetin dhe krijimit të mundësive konkrete për gratë.
Nëse edhe ju dëshironi ta përjetoni nga afër këtë atmosferë dhe të njiheni me punën, artin dhe krijimtarinë e grave, vizitoni Etno Fest sot — sepse sot është dita e fundit e festivalit!

