Kushtetuta e Republikës së Kosovës u miratua nga Kuvendi i Kosovës më 11 qershor. Përkundër përpjekjeve të disa grupeve fetare, në veçanti të grupeve ‘pro-life’ nga Amerika që vizitonin Kosovën në javët para miratimit të saj, Kushtetuta e mbron të drejtat reproduktive të grave.
RRGGK i ka dërguar Komisionit Kushtetues një deklaratë përmes të cilës i kundërvihej lobimeve të bëra nga delegacioni Amerikan. Në këtë letër, RRGGK theksoi se Kushtetuta e Kosovës garanton të drejtat e grave për ‘integritet personal’, e drejtë kjo që përfshin ‘të drejtën e
marrjes së vendimeve lidhur me reproduktimin’, ndërsa neni 25 thekson ‘çdo individ nga lindja gëzon të drejtën në jetë’. Duke i kritikuar argumentet e grupeve ‘pro-life’ që thonin se jeta fillon nga mbarësimi, RRGGK theksoi se ‘në raste të aborteve spontane që ndodhin në muajt e parë të shtatëzanisë, asnjë institucion fetar nuk organizon funeral’.
Pas kësaj letre dhe letrave tjera të dërguara nga grupe të ndryshme Kosovare të të drejtave të njeriut, Komisioni nuk i bëri ndryshime versionit të parë të projektkushtetutës. Rrjedhimisht, Kushtetuta mbron të drejtat njerëzore të Kosovarëve për të gëzuar të drejtën reproduktive, të drejtën e formimit të familjes dhe atë të orientimit seksual.