Në shtator të vitit 2017, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), u njohtua se Ministria e Drejtësisë kishte filluar plotësim-ndryshimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Me këtë rast, RrGK së bashku me anëtarët nga Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore (GSBGj), dërguan propozimin që në Kodin Penal të përfshihet edhe definicioni i dhunës në familje.
Që nga ajo kohë, RrGK dhe GSBGj inicuan takime avokuese, përfshirë këtu edhe takimet me Grupin e Grave Deputete, për të inkurajuar deputetët që të përkrahin përmes votës së tyre, përfshirjen e definicionit të dhunës në familje në Kodin Penal.
Tutje, në prill të këtij viti, RrGK u njohtua se propozimi i dërguar nga RrGK dhe GSBGj është përfshirë në Kodin Penal, dhe që nga ajo kohë, RrGK ka qenë pjesëmarrëse në dy takime të organizuara me deputetet/ët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, si pjesë e Grupit Punues për Projekt – Kodin Penal.
Takimi i rradhës i Grupit Punues për Projekt-Kodin Penal në Kuvendin e Republikës së Kosovës është caktuar për muajin shtator 2018. RrGK është mirënjohëse për kontributin e deputeteve/ëve të këtij grupi në përfshirjen e Dhunës në Familje në Kodin Penal dhe për vullnetin në gjithëpërfshirjen e akterëve relevant në grupet punuese. RrGK inkurajon deputetet/ët e Kuvendit të Kosovës që ta votojnë këtë propozim, pasi që kjo direkt do të kontribuonte në mbrojte efektive nga dhuna në familje.
Poashtu, RrGK rikujton se në përputhje me Konvetën për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave (CEDAW), në Kushtetutën tonë, shteti duhet të mbrojë gratë në të dyja sferat, private dhe publike. Ne besojmë se ndryshimet e propozuara në Kodin Penal do të ndihmojnë në adresimin e mosndëshkimit dhe mungesën e qasjes në drejtësi për personat që kanë vuajtur nga dhuna në familje, veçanërisht gratë. Për më tepër, ndryshimet e propozuara janë në përputhje me Konventën e Stambollit dhe praktikat më të mira evropiane.