Kvinna till Kvinna lanson raportin “Diskriminimi me bazë gjinore dhe punësimi në Serbi”

Beograd –  Gjatë ditës së djeshme Fondacioni Kvinna till Kvinna lansoi raportin “Diskriminimi me bazë gjinore dhe punësimi në Serbi”. Kjo ngjarje njëkohësisht shënoi edhe lansimin zyrtar të iniciativës regjionale për adresimin e këtij diskriminimi në gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, të mbështetur nga Bashkimi Evropian (BE) dhe Suedia/Sida.

“Çështjet gjinore përfshijnë burrat [dhe] mbrojtjen e të drejtave të grave duke i shërbyer përmirësimit të shoqërisë në tërësi”, tha në fjalën hyrëse Noora Häyrinen, Shefe e Seksionit Politik të Delegacionit të BE-së në Serbi. Ajo e mirëpriti këtë iniciativë të mbështetur nga BE-ja dhe vuri theksin në rëndësinë e grupeve për të drejtat e grave. “Rrjetet e fuqishme të grave mund ta shtyjnë agjendën përpara”, tha ajo.

Gjatë kësaj ngjarjeje, Sofija Vrbaški, Koordinatore e Projekteve në Fondacionin Kvinna till Kvinna dhe ndër hartueset e këtij raporti prezantoi metodologjinë, të gjeturat kryesore dhe rekomandimet që rezultuan nga ky hulumtim.

Ky raport përfshin informata mbi mangësitë në kuadrin ligjor përkatës, përhapjen dhe natyrën e diskriminimit gjinor lidhur me punësimin, si dhe shkallën në të cilën njerëzit kanë paraqitur ankesa.

Disa nga gjetjet kryesore janë;

  • Përderisa edhe gratë edhe burrat priren të jenë të vetëdijshëm se diskriminimi me baza gjinore është i paligjshëm, ata kanë vështirësi për të identifikuar se cilat vepra specifike mund të përbëjnë diskriminim gjinor;
  • Ekzistojnë dëshmi të shumta se diskriminimi me baza gjinore prek veçanërisht gratë, përfshirë këtu edhe punësimin, promovimin, pagën jo të barabartë dhe ngacmimin seksual;
  • Institucioneve shpesh u mungojnë të dhënat lidhur me rastet të cilat i kanë trajtuar, si dhe disa institucione nuk kanë marrë pjesë në hulumtim, duke e bërë kështu të vështirë qasjen në cilësinë e reagimit institucional ndaj një diskriminimi të tillë;
  • Të dhënat e studimit tregojnë se gratë kanë 2.5 herë më shumë shanse se burrat për të përjetuar ngacmim seksual në vendin e punës; dhe
  • Sfidë mbetet raportimi i diskriminimit me bazë gjinore në vendin e punës; disa individë janë edhe më të prekur nga diskriminimi i shumëfishtë që ka për bazë gjininë, orientimin seksual, shprehjen ose identitetin gjinor, përkatësinë etnike apo edhe aftësitë e ndryshme.

Sipas Nicole Farnsworth, Drejtore e Programit dhe Udhёheqёse e Hulumtimit në Rrjetin e Grave të Kosovës, të gjeturat e hulumtimit në Serbi kanë disa ngjashmëri me ato të vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor. Ajo ndau gjetjet e para nga rajoni, duke nënvizuar këto ngjashmëri. Tutje, ajo foli për mundësitë për bashkëpunime në të ardhmen ndërmjet grupeve të të drejtave të grave në trajtimin e çështjeve të identifikuara, si përmes avokimit të përbashkët, fushatave për ngritjen e vetëdijes dhe ndihmës ligjore, të cilat mund të mbështeteshin përmes granteve të dhëna për organizatat përmes kësaj iniciative.

Milica Lupšor, punonjëse, aktiviste dhe anëtare e kolektivit për të drejtat e punës të grave ROZA nga Zrenjanin, paraqiti disa storie prekëse të diskriminimit që gratë përjetojnë, sidomos gratë që punojnë në sport, bujqësi dhe në fabrika. Aktivistet e organizatës kanë prodhuar vetë filma të shkurtër që tregojnë histori nga jeta reale e diskriminimit me të cilin ballafaqohen gratë punëtore.

Pjesëmarrësit diskutuan rreth praktikave më të mira deri më sot, duke u dhënë vëmendje të veçantë atyre të paraqitura nga një përfaqësues i Komisionerit për Mbrojtjen e Barazisë, si dhe sfidat kryesore, të tilla si mënyra më e mirë për t’i mbështetur gratë për të pasur qasje në drejtësi, duke pasur parasysh rreziqet reale të lidhura me raportimin e këtyre rasteve.

Aktivistet e të drejtave të grave u pajtuan për të vazhduar këto diskutime edhe në të ardhmen, duke koordinuar përpjekjet e tyre për t’i mbështetur gratë e prekura nga diskriminimi gjinor që ndërlidhet me punësimin.

Raporti është i qasshëm KËTU.

Kjo iniciativë 36-mujore zbatohet nga Rrjeti i Grave të Kosovë (RrGK), Fondacioni Kvinna till Kvinna (Serbi), Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim (Shqipëri), Kuvendi i Qytetarëve të Helsinkit Banja Lukës (Bosnje dhe Herzegovinë), Reaktori – Hulumtimi në Veprim (Maqedoni) dhe Qendra për të Drejtat e Grave (Mal i Zi).

Në vitet që vinë partnerët planifikojnë të bashkëpunojnë me rrjete edhe më të gjera të grupeve të të drejtave të grave dhe aktivistëve.