Lansohet Komentari për Barazi Gjinore

Me 14 shtator, Agjencioni për Barazi Gjinore (ABGJ) lansoi Komentarin e Ligjit për Barazi Gjinore. Ky Komentar ka peshë mjaftë të rëndësishme për faktin se do të udhëheqë gratë dhe burrat për mënyrën e duhur të përdorimit dhe zbatimit të Ligjit për Barazi Gjinore. Qëllimi i këtij Komentari është qartësimi, promovimi dhe lehtësimi i zbatimit të Ligjit, si dhe të sigurojë që gratë dhe burrat gëzojnë të drejta të barabarta në përputhje me legjislacionin e Kosovës
       Në fjalën hyrëse të këtij lansimi Kryemistri i ri i Kosovës, z. Ramush Haradinaj, theksoi se ka ende punë për tu bërë për tu siguruar barazia gjinore në Kosovë. Ai u pasua nga znj. Selvete Gërxhaliu – Krasniqi, nga Gjykata Kushtetuese e cila foli për një pikëpamje historike mbi miratimin e Ligjit për Barazi Gjinore, dhe z. Nehat Idrizi nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës i cili rikonfirmoi rëndësinë e lansimit të një Komentari të tillë.
Në emër të ABGJ-së, Kryeshefja Ekzekutive znj. Edi Gusia falenderoi të gjithë të pranishmit, duke konstatuar se nevoja për këtë Komentar kishte dalë vite më parë, në vitin 2004 kur edhe hyri në fuqi Ligji i parë për Barazi Gjinore. Ajo gjithashtu vuri në dukje se, edhe pse ligjet e Kosovës kanë përparuar, zbatimi ende mbetet një sfidë.
     Avokati i Popullit, z. Hilmi Jashari, theksoi nevojën për harmonizimin e legjislacionit të Kosovës. Aktualisht, Ligji për Barazinë Gjinore parashikon përfaqësim të barabartë të grave në të gjitha nivelet, 50%, që nuk është në përputhje me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Ligjin për Zgjedhjet Lokale, të cilat parashikojnë një kuotë prej vetëm 30% duke parashikuar përfaqësim të barabartë.