Letër e hapur lidhur me tekstin e Profesor Vesel Latifit

Drejtuar autorit të tekstit arsimor “Kriminalistika”, recensuesëve të tekstit arsimor “Kriminalistika”, Këshillit Botues, Dekanit të Fakultetit Juridik, dhe Prorektores për Arsim në Universitetin e Prishtinës:

Prishtinë, 21 tetor 2014

Me anë të kësaj letre shprehim shqetësimin tonë me tekstin arsimor “Kriminalistika” nga autori Vesel Latifi, veçanërisht me Kreun 31.3 me titullin “Karakteristikat e Viktimave të Marrëdhënies Seksuale me Dhunë.”

Ne të poshtë-nënshkruarit, konsiderojmë se gjuha e përdorur në këtë kapitull është mizogjiniste dhe çnjerëzore ndaj viktimave të dhunës seksuale, në veçanti 2 paragrafët e parë të kapitullit, ku thuhet se:

“Viktimat e marrëdhënieve seksuale me dhunë zakonisht janë femrat që gënjehen lehtë, te pakujdesshme, mendjelehta, dhe të përdalura, rrethanat të të cilat sjellin me vete edhe një situatë viktimogjene (sulmin ndaj tyre). Objekt dhunimi shpesh janë gratë e zhvilluara në moshen normale, kur ato jane tërheqëse, por shpesh edhe vajzat 4-5 vjeçe, e edhe më të vogla, e anasjelltas, edhe gratë e moshuara.

Është regjistruar rasti se është dhunuar gruaja 85 vjeçe. Gjithashtu, një numer i madh kallëzimesh është i rreme, i bërë nga të sëmurë psikopate, histerike, me sëmundje patologjike, etj. Motivet që i shtyjnë, në disa raste, femrat që bëjnë kallëzime të rreme, edhe kur janë normale, e kanë burimin te xhelozia, te mungesa e dashurisë nga njëra palë, te kapja në flagrancë nga ana e saj, duke kryer akt seksual me vullnet dhe nga turpi flet per dhunë, te nxjerrja e përfitimeve materiale etj. ”

Organizata Botërore e Shëndetit e përkufizon dhunën seksuale si:

“…një gamë veprimesh, nga dhuna verbale deri te penetrimi seksual i detyruar, dhe lloje të ndryshme të detyrimit, që nga presioni shoqëror dhe intimidimi deri te dhuna fizike.

Dhuna seksuale përfshinë, por nuk është e kufizuar në:

  • përdhunim në martesë apo në lidhje romantike
  • përdhunim nga të panjohur dhe të njohur
  • ngacmim apo afrim seksual i padëshiruar (në shkollë, në punë, etj.)
  • përdhunim sistematik, skllavëri seksuale dhe forma tjera të dhunës, të cilat zakonisht përdoren në konflikte të armatosura (p.sh. shtatzania e detyruar)
  • abuzimi seksual i njerëzve me aftësi të kufizuara mendore apo fizike,
  • përdhunimi dhe abuzimi seksual i fëmijëve, dhe
  • format “zakonore” të dhunës seksuale, sikur martesa e detyruar, bashkejëtesa dhe trashëgimia e gruas.”

Përkundër që teksti nuk i merr parasysh këto forma të dhunës seksuale, ai nuk përfshin as përkufizimet e Kodit Penal të Kosovës.

Përkufizimi i viktimës “tipike” sipas profesorit Latifi është tejet problematik. Hulumtime serioze të dhunës seksuale në Kosovë dëshmojnë se gratë e të gjitha moshave, etniciteteve, statuseve martesore dhe rajoneve të ndryshme përjetojnë dhunë në Kosovë, dhe shumica e tyre përjetojnë dhunën në baza gjinore (përfshirë dhunën seksuale) nga partnerët e tyre intim – se sa nga një i panjohur. Kjo dhunë ka tendenca të jetë pjesë e dhunës së vazhdueshme (shih: RrGGK, “Hulumtim Kërkimor mbi Nivelin e Dhunës në Baza Gjinore në Kosovë…”).

Viktima, thjesht, nuk mund të përkufizohet sipas mendjelehtësisë, pakujdesshmërisë, përdalshmërisë, dhe situatat “viktimogjene” që sjell me vete. Dhuna seksuale është simptom i një shoqërie patriarkale, në të cilën gratë konsiderohen inferiore dhe trupat e tyre pronë. Vlen të shtohet se në shoqërinë kosovare është e pamundur të paramendohet se viktima mund të jetë edhe burrë, edhe djalë, edhe çfarëdo individi tjetër që nuk përputhet me përkufizimin e ngushtë të “viktimës” në tekstin e Veselit. Viktimë mund të jetë kushdo, e jo vetëm “gratë e zhvilluara në moshën normale.”

Dhuna seksuale nuk ka të bëjë vetëm me tërheqjen seksuale apo epshin, por ka te bëjë me pabarazinë e rrënjosur institucionale dhe shoqërore. Kjo e fundit merr forma sikur dhuna seksuale, por edhe si mungesë e trashëgimisë, mungesë e mbrojtjes ligjore, mungesë e përfaqësimit, dhe përqendrim i fuqisë te burrat.

Pa burime dhe referenca kredibile, autori pergjithëson që një numër i madh i kallëzimeve janë të rrejshme, e jo vetëm të rrejshme, por të bëra nga “të sëmurë psikopat, histerik, me sëmundje patologjike, etj”, si dhe gra që thjesht gënjejnë për shkak të tradhtisë apo të ndonjë përfitimi material. Lënë anash që histeria është term i diskredituar, ndërsa sëmundjet s’mund të jenë gjë tjetër pos patologjike, një qëndrim i tillë ndaj viktimave të dhunës seksuale i dekurajon ato apo ata nga raportimi i dhunës tek institucionet përkatëse.

Në fakt, supozohet se shumica e rasteve të përdhunimit në Kosovë, nuk raportohen tek organet e drejtësisë, mu për shkak të mosbesimit që tregojnë institucionet dhe dënimeve të lehta që iu shqiptohen abuzuesve (RrGGK, “Më Shumë se Fjalë në Letër…”). Ndërsa, përkundër mosraportimit, më shumë se gjysma e grave të intervistuara thanë se “partnerët e tyre i detyronin të bënin veprime seksuale të cilat ato nuk i dëshironin” (RrGGK, “Hulumtim kërkimor mbi nivelin e Dhunës…”). I njëjti hulumtim dokumenton se vetëm 13 nga 96 gjinekologët e intervistuar nuk kishin parë asnjë rast të dhunës seksuale tek pacientat e tyre.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit, ka shumë arsye pse gratë nuk e raportojnë dhunën seksuale, sikur: mungesa e mbështjetjes nga shoqëria dhe institucionet, turpi, frika nga hakmarrja, frika nga fajësimi, frika nga mosbesmi, frika nga keqtrajtimi dhe leçitja shoqërore. Në një shoqëri si ajo kosovare, ku gratë nuk kanë mbështetje as në qendrat e ndihmës sociale që kanë për obligim t’i ndihmojnë, ku strehimoret për gratë e abuzuara nuk kanë mjaft resurse materiale dhe njerëzore për t’i mbrojtur, ku policët u sugjerojnë grave të kthehen tek abuzuesi i tyre, ku vet familjet i heshtin rastet e dhunës, mosbesimi dhe kategorizimi i grave që marrin guximin të raportojnë abuzuesin e tyre sikur gënjeshtare dhe të sëmura psikologjike, nuk është asgjë pos mizor.

Institucionet e dijes janë të përfshira drejtpërsëdrejti në krijimin e raporteve sociale të cilat rezultojnë në akte të tilla dhune dhe stigmatizimin e viktimave të kësaj dhune. Shembull i riprodhimit të këtij qëndrimi mizor ndaj viktimave si fajtore për dhunën që përjetojnë është profesor Haki Demolli, i cili së fundi ka dalë në mbrojtje të tekstit origjinal, duke thënë se është qëndrim legjitim shkencor.

Në vend të një teksti arsimor, i cili do të duhej të kishte për qëllim edukimin e avokatëve, prokurorëve dhe gjyqtarëve të ardhshëm të Kosovës se si duhen trajtuar rastet e dhunës seksuale, teksti “Kriminalistika” i mëson të mos i besojnë viktimave, t’i diskreditojnë akuzat, dhe t’i paraqesin akuzueset si të sëmura dhe fajtore.

Kërkojmë nga Universiteti i Prishtinës urgjentisht të largojë tekstin “Kriminalistika” nga planprogramet e Fakultetit Juridik; të ndërmarrë hartimin e strategjisë për përfshirje të perspektivës kritike të çështjeve gjinore; dhe të bëjë hulumtimin e thellë të kurikulave dhe syllabuseve të akredituara.

Të poshtë nënshkruarit:

Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK)
Programi Universitar për Studime dhe Hulumtime Gjinore (Universiteti i Prishtinës)
Alter Habitus – Instituti për Studime në Shoqëri dhe Kulturë
Instituti GAP
Qendra për Hulumtim, Dokumentim dhe Publikim
Peer Educators Network (PEN)
Iniciativa Kosovare për Stabilitet (IKS)
Nisma e të Rinjëve për të Drejtat e Njeriut (YIHR)