Liliana Çavolli – diva e muzikës shqiptare që i fali publikut këngën dhe shpirtin

Lililana Çavolli ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e muzikës kosovare duke lënë pas vetes mbi 300 këngë të pavdekshme.

Ajo është ndër këngëtaret e para në Kosovë, që përfundoi shkollën për muzikë, në kohën kur ishte sfidë të realizohej një ëndërr e tillë. Liliana jo vetëm që u bë e dashur për muzikën që ofroi, por edhe trasoi rrugën për shumë vajza të reja që ndoqën rrugën e saj.

Ajo ishte në skenë për më shumë se pesë dekada, me këngën e saj të lehtë qytetare. Lili, siç e njihnin miqtë kishte punuar edhe në redaksinë e muzikës në Radio Prishtinë, ndërsa pas luftës ka qenë autore dhe moderatore e emisionit “Evergreen” në Radio Kosova.

70 vjetorin e lindjes dhe pesë dekada karrierë në skenë ajo i kishte festuar në një megakoncert që e kishte organizuar Grupi Koha në Teatrin Kombëtar të Kosovës, në shkurt të vitit 2013.

“Për pesë dekada me radhë ajo ia fali publikut këngën dhe shpirtin. Asnjëherë nuk kishte kërkuar diçka në kthim. Por shpërblimin ia solli koha. Mbrëmja e së dielës së 3 shkurtit, për shumë kë mund të ketë qenë e zakonshme. Por, jo edhe për divën e muzikës shqiptare, Liliana Çavolli”, shkruante Koha Ditore për koncertin.

“Është mbrëmja më e bukur e jetës sime”, kishte qenë përshkrimi që ia ka bërë Çavolli gala koncertit të titulluar “Kënga dhe shpirti, për Lilin me zemër”. 

Liliana Çavolli ka lindur në Prizren, ndërkaq prejardhjen e ka nga një familje korçare. Është rritur në Shkup të Maqedonisë. Nëna e Lilianës ishte këngëtare dhe një mëngjes e mori si shoqëruese në një paraqitje në radio, ku edhe zë fill karriera e saj në muzikë. Fati përsëri e ktheu në Prizren ku Liliana filloi hapat e parë si këngëtare. Njëkohësisht ndoqi mësimet e solokëndimit në shkollë të mesme të muzikës dhe u anëtarësua në Shoqërinë Kulturore Artistika “Agimi”. Talenti, zëri dhe puna në Prizren bënë që Liliana të shquhej shpejt si emër premtues.

Këngëtarja nga Prizreni njihej si zambaku i këtij qyteti dhe pikërisht kënga “Zambaku i Prizrenit” e simbolizon më së miri artisten.

Lililana Çavolli u shqua si artiste e rrallë, e cila pushtoi majat e muzikës zbavitëse, por shkëlqeu edhe në zhanre të tjera. Ka rrezatuar pozitivitet e ngrohtësi me ata që kanë gravituar afër saj. Liliana me personalitetin dhe krijimtarinë e saj, e ka pasuruar jetën kulturore duke mbetur përherë një thesar i çmuar i kulturës.

Për Lilin, mikja dhe këngëtarja e shquar Nexhmije Pagarusha thoshte:

“Lilana Cavolli është një këngëtare e shkëlqyer. Ka qenë dhe është edhe sot! Ajo ka kënduar me të njëjtin sukses si këngën zbavitëse si atë popullore. Lilana është një soprano e mrekullueshme. Ajo edhe sot është në gjendje të këndojë drejtpërdrejt. Nuk do të pranonte kurrë të këndojë ‘playback’”.

Sami Piraj kompozitor dhe gazetar i muzikës, thoshte për Lilianën se “ajo ka timbër karakteristik, të çiltër, vokacion të ngrohtë, ngjyrë të formësuar, diksion të qartë që janë bazament i vlerës së kalibrit të këngëtareve të afirmuara.”

“Liliana mbetet me emër në këngën tonë duke iu falënderuar këtyre karakteristikave. Ajo në cdo interpretim të këngëve nuk dëshiron të mbetet e zakonshme. Përkundrazi përjetimi i notave me tekstin mbeten prore preokupim për ta skalitur deri në maksimum atë që ishin dhe mbeten sinonime të këngëtareve tona të mëdha si Nexhmije Pagarusha, Vace Zela, Hafsa Zyberi, Naile Hoxha, Fitnete Rexha, Shpresa Gashi, Shahindere Bërlajolli etj.”

Fëmijëria e Lilianës nuk ishte e lehtë, pasi babai i saj vazhdimisht ka qenë i përndjekur i regjimit të atëhershëm.

“Ne kemi pasur një harmoni kur kemi qenë bashkë, nëna babi dhe dy vëllezërit, por rehatinë na kanë prishur persekutimet dhe burgosjet e babait tim,” rrëfente në intervistat me mediat e Kosovës Liliana.

“Karriera më ka bërë të lumtur, por kur ka ardhur në jetë vazja ime në 1972 mu ka dukur që e tërë bota është e imja”, rrëfente Lili për kohën kur e lindi Irenën.

E Irena, që jeton në Londër, mendon se nëna e saj Liliana nuk e ka zhvilluar plotësisht potencialin e saj.

“Mendoj që ka mundur të bëjë më shumë, dhe po me dhemb zemra që nuk po këndon qe një kohë të  gjatë. Tash e ka një zë edhe më të mirë, por s’ka mundësi të realizojë këngë. Unë fatkeqësisht nuk u bëra e pasur në mërgim që të mund t’i ndihmoja për të realizuar edhe më shumë”, ka thënë Irena.

Por, a i mbeti vërtetë një këngë apo diçka tjetër peng Lilianës?

“Kam pasur shumë dëshirë të merrem me muzikë klasike. I kam pasur të gjitha predispozitat të bëhem këngëtare e operas, por ja kështu nuk u bë. Erdha në Kosovë, fillova të këndoj… më morën ujërat e zbavitjes, muzikës zbavitëse, popullore, u punësova… Kështu që as vetë nuk u angazhova për ta plotësuar këtë dëshirë, por këtë ua dëshiroj talenteve të reja. Ka shumë prej tyre që vërtet mund të arrijnë. Do t’u kisha thënë atyre të mos shkojnë të këndojnë nëpër kafene, por ta ruajnë zërin, të shkollohen, se një ditë patjetër që do të funksionojë si duhet edhe ky segment,” pat thënë Liliana Çavolli në një intervistë për Radio Kosovën.

Liliana Çavolli lindi më 1942 dhe ndërroi jetë në vitin 2015.